Na ndiqni edhe në

Ora e Gallatës

Ja çfarë i propozoi Berisha Le Pen, pas humbjes!

Ja çfarë i propozoi Berisha Le Pen, pas humbjes!

E nderuar madam Le Pen!

Si fillim dua t’ju shpreh ngushëllimet e mia për humbjen dhe gjithashtu t’ju paraqes disa kritika.

Po ndiqja televizorin kur pashë që ju dolët dhe pranuat humbjen. Po jo moj zonjë, humbja nuk pranohet kurrë. Ju duhet të kishit dalë dhe shpallur fitoren si dhe të hidhnit dyshime për procesin e numërimit.

Ju thatë që pavarësisht humbjes, ky është rezultati më i mirë juaji.

E ke gabim moj zonjë. Ju duhet të kishit dalë me makina dhe flamurë tek selia e partisë, të hidhnit fishekzjarrë të blerë në Kinë (kujdes se ka që të plasin në dorë sapo i ndez) dhe të deklaronit se kush prek votën do ta pijë e zeza.

Kohët e fundit kam vënë re që e djathta evropiane është squllur shumë. Duhet të vini në Shqipëri zonjë dhe të ndiqni procesin e rithemelimit ku do mësoni shumë gjëra.

Bashkë nuk njihemi por unë kam një respekt të madh për babain tuaj i cili është qëndrestari i koservatorizmit në Francë dhe e kam njohur kur unë rrëzoja komunizmin. E kam njohur, nuk është shprehja tamam pasi ai as që e dinte ku ishte Shqipëria, pale unë. Por ne konservatorët kështu jemi.

Nuk e di nga bëhet tani, por nëse është gjallë thuaj të më shkruajë.

Ashtu si unë edhe atë besoj se e ka marrë në qafë Andi Dobrusha.

Ti do pyesësh se kush është ky?

Ky moj zonjë është kryetari i Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Tiranë. Është emri me të cilin maskohet Sorosi.

Ky moj zonjë, ka një urrejtje të pashuar kundër antikomunistëve si puna ime dhe e babait tënd. Ky rri gjithë ditën në Tiranë dhe merret me intriga kundër meje bashkë me një dorë çunash dhe gocash që ju jep projekte. Këta rrinë bashkë, hanë bashkë, pinë bashkë, ……….. dhe gjithë ditën bëjnë plane si të sjellin edhe njëherë komunizmin. Këtu në Shqipëri për fat isha unë dhe ju hasi sharra në gozhdë. Me siguri edhe babait tënd ky ia ka futur. Apo ia ke futur ti? Se mua më doli Luli besëprerë.

Nejse, kur është brenda familjes, nuk quhet.

Ky Luli bashkë me Andin, lidhën besën që të ma prishin mua besën dhe të lidhnin besën me Blinkenin që të ma fusnin mua. Pastaj…. Më mirë po ta tregoj herë tjetër se besoj tani ti je e zënë për të shpallur mosnjohjen e zgjedhjeve dhe dënuar masakrën elektorale që bëri Sorosi dhe Makroni.

Mi bëj të fala plakut dhe thuaji të më shkruajë se ne konservatorët francezë dhe shqiptarë kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Me respekt, Sala/dritare.net