Na ndiqni edhe në

Opinione

Punëmbari i Tiranës!

Punëmbari i Tiranës!

Nga Artan Xh. DUKA Prof.As.Dr.MSc.

Nuk është normale që në zgjedhje të mos ketë garë. Kjo po ndodh me 14
majin dhe sa kohë të vazhdojë saga e non-gratave djathtas dhe PS e Ramës
të shprehë edhe interesat e së djathtës në vënd, kjo do zgjasë ca kohë. Me
fitoren në “xhep”, PS bile më kot rreket edhe me mbështetje VIP-ash sepse
vetëm sa provokon më kot përfolje pafund nga bataku mediatik. Puna flet
vetë.

Punëmbari i Tiranës dhe fjalëshumi rrotull

Ndonse sot kandidatët e PS po bëjnë realisht garë me veten e kohën, ata po
ia arrijnë sërisht të zgjojnë interes zgjedhor dhe premtimet e planet ambicioze të tyre po “ngjisin”
tek votuesi sepse deri tani koha ka folur mirë për ta.
Në Tiranë, Veliaj, duke ngritur lart “stekën” e kryebashkiakut, ka kohë që i ka bërë vënd
vetes për më tej me punën e arritjet ndër vite në administrimin e metropolit shqiptar. Meritë e tij
por edhe e trashëgimisë Rama si kryebashkiak (i suksesshëm edhe gjatë qeverisë së PD) dhe
mbështetjes sot së qeverisë së partisë së tij. Fakt kuptimplotë i këtij popullariteti është votëbesimi i
rradhës me votë mazhoritare që, si dikur Ramën, po e faktorizon atë si figurë politike premtuese për
kreun e PS një ditë.
Sot Tirana është në “hartën” e botës duke synuar të ofrojnë një profil unik me gjetjet
urbanistike të saj dhe publiciteti pozitiv po bën punën e tij.
Por e mira nuk ka fund dhe në modestinë e tij, kryebashkiaku i ardhshëm duhet të reflektojë
mbi shqetësimet e rradhës qytetare për të përmirësuar më tej cilësinë e banimit në qytet. Arritjet e
sfidat shkojnë paralelisht dhe përpara se të jetë e turistëve, Tirana është e banorëve të saj.

Gropat e pambushura të së shkuarës

Në vitet 90 ndryshimi ishte refren edhe për Tiranën por politika e shpërfilli trashëgiminë pozitive
urbane të së shkuarës dhe harmonizimin e së resë me të.
Në vënd që qyteti me largpamësi të hidhte shtat e zgjerohej që në fillim jashtë vijës së
verdhë me lagje të reja moderne atje, politika “parazitare” e fitimit të shpejtë degradoi së pari jetën
urbane brënda vijës së verdhë, pa hodhi sytë më tej.
Urbanizimi pafre i tre dekadave të shkuara e shndërroi qytetin në “getopol” me kosto në
ndotjen mjedisore e zanore, pakësimin e hapësirave të gjelbra brënda qytetit historik, sfidat e
bashkëjetesës e mirëmbajtjes së mjediseve të përbashkëta, problemet e panumërta të pronës,
shërbimet problematike publike etj.

Tirana u shpërfytyrua aq shumë sa sot për një brez të caktuar, Tirana e tyre nuk ekziston më
dhe retorika “Tirana ime” ndjell pak trishtim.

Tirana e Re, ndër lagjet më të bukura dhe të gjelbra të Tiranës së para viteve 90, ka
trashëguar një xhungël ndërtimesh që i bëjnë karshillëk çdo kujtimi të së shkuarës dhe ambicjeje për
të ardhmen.

Në vitet 90 u zhbënë parqe e lulishte, terrene sportive, u degraduan godinat ekzistuese me
shtesa “lego” të përçudnuara, u ngritën kulla ku të mundej, shpërfytyruan lagje të tëra që sot kanë
probleme të oborrit të përbashkët, parkimeve etj.

Kjo trashëgimi e bashkive të PD gjatë viteve 90 është ende sfidë për bashkiakët e rinj. Veliaj
në Tiranë po përpiqet jo vetëm për të modernizuar e futur të renë kudo por edhe për të ndrequr
çfarë mund të ndreqet nga e shkuara duke normalizuar sa më parë standartin urban në çdo cep të
kryeqytetit tonë.

Lista e gjatë e punëve të mira në pritje

Tirana, si kudo në botë, ka vënd edhe për “Manhatan”-izim por dhe për ruajtje e mirëmbajtje të
lagjeve dhe zonave historike të saj.

Tirana duhet të ruajë unikalitetin e saj në raport me kryeqytetet e tjera në botë. “Kullo-
mania” e tepruar, “moda” dhe arkitekturat “futuristike” që mund t’u dalë boja shpejt nga koha,
plastikat e veshjet ekstravagante prej xhami, “pllaka” –zimi i tepruar i hapësirave publike në kurriz të
gjelbërimit real urban në kurriz edhe të përballimit të temperaturave në ngritje etj, rrezikojnë t’a
transformojnë qytetin në shabllon, standart deri në monotoni edhe për turistët që vijnë.
Tirana e paraviteve '90 nuk duhet të përfundojë në muze dhe çfarë i ka shpëtuar biznesit
klientelist të ndërtimeve duhet të shpallet zonë e mbrojtur sa më parë. Ruajtja e trashëgimisë
urbane duhet të jetë prioritet për këdo në Bashki më tej.

Sfida e ndotjes dhe lehtësia e lëvizjes qytetare kërkon që njëkohësisht me zgjerimin e qytetit
dhe përmirësimin e rrjetit rrugor, të shtohen edhe itineraret e shpeshtësia e transportit publik psh.
përfundimi i Unazës së Madhe dhe nevoja për linjë urbane përgjatë saj etj.
Problem mbetet ende furnizimi me ujë qoftë si prurje në 24 orë ashtu dhe cilësi. Depozitat e
pallateve dhe ato mbi tarraca me problemet higjenike rreth tyre duhet të lihen pas. Realiteti i

“Tiranës sime” me konsum masiv të ujit të ambalazhuar stonon me realitetin e paraviteve 90 kur
gota mbushej nga çezma.

Problem i mprehtë vazhdon të mbetet mirëmbajtja e banesave e prania e kujdesi ndaj
hapësirave të përbashkëta qofshin ato në zona banimi, parqe publikë etj. Jo rrallë ndodh që edhe kur
investohet në hapësira publike (parqe, shëtitore, kënde lojrash etj) nuk mirëmbahen në vijimësi
duke degraduar në shëmti.

Ndërkohë në rastin e mirëmbajtjes së zonave të banimit, “zgjidhja” me administrator që
“caktohen” nga banorët nuk funksion. Ky lloj “demokratizimi” i shërbimit të mirëmbajtjes (në thelb
larje duarsh prej pushtetit) nxit tension e mosbesim reciprok mes qytetarëve, shfaq probleme kur
vjen puna tek pagesat për punime apo mirëmbajtje rutinë etj. Vetë fakti se administratorët
ndërrohen aq shpesh flet vetë.

Bashkia, përmes minibashkive, si “Komunalja” dikur, duhet të marrë përsipër shërbimin e
mirëmbajtjes së godinave e terreneve të përbashkëta duke patur në organikën e saj ekipe
specialistësh e teknikësh ndarë sipas zonave të banimit ku shpenzimet për rrogat, punimet,
mirëmbajtjen rutinë, zgjidhja e problemit të parkimeve etj, mund të mbulohen nga pagesa fikse si
pjesë e faturave mujore (sikurse taksa e gjelbërimit).

Në këtë mënyrë qytetari ka se ku të ankohet, familjariteti me administratorin e rradhës
bëhet i panevojshëm, shmangen debate e tensione rreth faturave financiare etj të gjitha me ndikim
në fqinjësinë e mirë në pallat.

Njëlloj si për shumë shërbime nga gjelbërimi, arsimi, rendi, mbrojtja etj, edhe jetesa urbane
duhet të garantohet nga autoriteti përkatës shtetëror (në këtë rast Bashkia) përmes sistemit të
taksave apo tatimeve në vënd.

Ky raport i ri, jo vetëm nxit harmoni urbane mes qytetarëve por dhe bën më të prekshëm
shërbimin e Bashkisë si faktor kyç në votëbesimin për zgjedhjet e rradhës për të.
Tirana sot po ndryshon me shpejtësi dhe kjo aq sa meritë është edhe përgjegjësi shtesë për
Bashkinë. Me të drejtë Veliaj e Bashkia mburren se investimet e tyre kanë rritur vlerën pronave të qytetarëve (psh. Kopështi Zoologjik, Unaza e Madhe etj) por kjo ngre edhe problematikën e strehimit
për brezat e rinj, të ardhurit etj.

Banesat sociale, mbështetja sociale për pagesat e qerave etj duhet
të vijojnë të jenë prioritet për Bashkinë dhe në Tiranë nuk duhet të ndjehet i përjashtuar askush.
Një Tiranë gjithnjë e më e madhe, nënkupton probleme e sfida gjithnjë e më të mëdha. Një
çmim “metropoli” që i’a vlen të paguhet sa kohë të mirat e tij gëzohen nga të gjithë. Vetëm kur ai
bëhet shtëpi e të gjithëve, ku gjithkush gjen veten qoftë tek e reja dhe modernja apo e shkuara dhe
historikja, vetëm atëhere ai me plot gojën mund të quhet “Tirana ime” ku ia vlen të votosh sepse ia
vlen të jetosh!/dritare.net