
Modeli Beleri, si armik i çështjes helene në Shqipëri
Dritare.net
Nga Mero Baze
Ka shumë debate këto ditë për Himarën, por jo në Himarë. Kryesisht në shtypin grek, atë shqiptar dhe jashtë Himarës. E gjitha ka të bëjë me rishfaqjen e tezave nacionaliste të kandidatit ekstremist grek të Partisë Berisha-Meta, Fredi Beleri.
Në të vërtetë, nuk janë as teza, por thjeshtë gjëra që befas u kujtojnë njerëzve sikur u flet pala armike. Ana komike e çështjes është se ai përfaqëson mes të tjerash koalicionin sovranist Berisha- Meta, që po luftojnë kundër ndikimit perëndimor në Shqipëri, kundër ndikimit amerikan dhe të Bashkimit Evropian, dhe kanë vënë në krye dikë që flet në emër të silogjeve të mykura greke, që nuk kanë lidhje as me politikën zyrtare greke.
Identiteti historik i pakicës greke në Shqipëri është bashkëjetesa pa mëdyshje me shqiptarët. Dhe kjo nuk është folklor, është histori reale.
Me pakicën greke në Dropull në Finiq, por dhe me ata që ndjehen grekë në Himarë, shqiptarët kurrë nuk i ka ndarë asgjë. Kanë pasur fate të përbashkëta, halle të përbashkëta dhe i kanë zgjidhur gjërat bashkë, sa herë ka qenë nevoja për ndryshim.
Profili i Fredi Belerit si nacionlist i vjetërsuar grek, që kërkon të fitojë në Himarë në emër të “sovranistëve” shqiptarë me teza përçarëse, në të vërtetë është profili i armikut real të çështjes greke në Shqipëri.
Çështjen greke në Shqipëri, e kanë hedhur në erë pikërisht ekstremistë të tillë. Dhe e kanë hedhur në erë duke humbur përfaqësimin politik të grekëve në Shqipëri.
Në fillim e humbën përfaqësimin e pakicës greke në Parlamentin e Shqipërisë duke u përçarë me njëri- tjetrin kush ishte më nacionalist, dhe ua mori elektoratin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Tani ky fenomen është shtrirë dhe në tre bashkitë ku pakica greke synon të fitojë. Në të tre bashkitë kandidatët që kanë shanse, janë ata që janë në aleancë me Partinë Socialiste. Por edhe kandidatët kundërshtarë me shanse, janë ata që kanë aleancë me opozitën Berisha- Meta. Pra e kanë humbur fuqinë të kandidojnë të vetëm dhe të fitojnë të vetëm, pa partitë shqiptare.
Gara më e drejtë është në Bashkinë e Finiqit, ku Romeo Çakuli kandidon nga MEGA, i mbështetur nga socialistët, Leonidha Kristo kandidon nga PBDNJ, i mbështetur nga Berisha- Meta, dhe Leonidha Papa kandidon nga Partia Demokratike zyrtare.
Shanset e qarta deri tani i ka Romeo Çakuli i MEGA, që mbështetet nga socialistet, pikërisht për shkak të identitetit bashkëjetues që kanë grekët e Finiqit dhe Vurgut në tërësi me shqiptarët. Por dhe dy kandidatët e tjerë janë në garë pikërisht pse mbështeten nga parti shqiptare.
Në Dropull, gara ngjan e mbyllur për Dhimiter Tolin, kandidatin e socialistëve, ndërsa kandidati i PBDNj, i mbështetur nga Berisha0 Meta, është me shpresën e ardhjes së emigrantëve për votime.
Por të gjithë këta janë kandidatë normal, që flasin për bashkëjetesë dhe garojnë për të fituar, t’u hyjnë në zemër grekëve të Shqipërisë.
I vetmi që shpreson se mund të fitojë duke u shpallur luftë shqiptarëve është Fredi Beleri në Himarë, që po e përsëris mbështetet nga “sovranistët shqiptarë” dhe nacioalistët grekë. Dhe sikur të duash ta dëmtosh më shumë çështjen greke në Shqipëri, se sa ky nuk e bën dot asnjë nacionalist shqiptar.
Beleri është produkt i martesës së sovranistëve shqiptarë me nacionalistët grekë, që ka lindur me datë skadence të kaluar para se të lindte. Ai u duhet vetëm atyre që nuk duan t’i lënë grekët e Shqipërisë pa përfaqësim politik, por t’i komandojnë shqiptarët e partive të mëdha./tema.net

















