Na ndiqni edhe në

Opinione

Fenomeni malinj Beleri!

Fenomeni malinj Beleri!

Nga Ermal Peçi

Prej ditës kur Sali Berisha dhe Ilir Meta shtërguan duart me Vangjel Dulen për koalicionin e tyre Bashkë Fitojmë, pritej që për Himarën të kishte edhe njëherë zhvillime të politikave të mbrapshta me karakter filo-grek. Një lëvizje pragmatiste politike për të rikthyer në lojë në qytetin e Himarës, një figurë me plot dritëhije si Fredi Beleri, ngjalli reagime të shumta në opinionin publik dhe debate në mejdanet politik.

Për afro tri dekada emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda, që cënoi sovranitetin e vendit, “Masakrën e Peshkëpisë”.
Fredi Beleri ishte pjesë e masakrësës së Peshkëpisë në vitin 94, ku u sulmua një repart ushtrie, u vodh një post dhe ngelën të vrarë komandati i garnizionit ushtarak dhe ushtari roje. Ajo që e bën më tragjike këtë rast është se grupi që sulmoi e kishin informacionin se ushtarakët e atij reparti nuk kishin plumba në armët e tyre.

Organizata terroriste greke “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar. Ishin mediat greke dhe jo ato shqiptare që nxorrën emrin e Fredit Beleri si pjesëtar i kësaj organizate duke qenë se Shqipëria në vitin 94 nuk kishte hallka institucionale e jo më mekanizma për të parandaluar ngjarje të tilla. Sikur të mos të mjaftonte vetëm kjo ngjarje, ai vazhdoi me programin e tij filo-grek ku shpeshherë ka bërë fushatë me flamurin e e Vorio Epirit dhe deklaratat e tij. Vetëm për këto dritëhije, të shkuarën e vet dhe çfarë përfaqëson si personazh, Fredi Bejleri nuk do të duhej të përzgjidhej si kandidat nga forcat politike shqiptare. Këtu do të duhej të kishte një reflektim nga dyshja politike Berisha- Meta, të cilët e mbështetën kandidaturën e tij.

Edhe ditën e zgjedhjeve në Himarë kishte përfaqësues të “Agimit të Artë” të asaj force politike që dhe në Greqi e plasën pas hekurave si pasojë e konflikteve që prodhonte kjo forcë politike dhe sulmet ndaj emigrantëve.
Fredi Beleri sot gjendet pas hekurave dhe do të duhet të flasë drejtësia, në është i fajshëm apo i pafajshëm për shitblerje votash apo do ta gëzojë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Himarës, të cilën e fitoi në 14 maj.

Por ajo që do të mbahet mend nga këto zgjedhje vendore të 2023 është sesi Berisha-Meta për arsye pragmatiste politike prodhuan në trupin e dobët të vendit tonë një “kancer malinj”, i cili mund të rihapë përsëri disa vatra të shuara me teza shoviniste apo shqiptarë të paguar nga grupe greke të bërtasin në tokën e tonë, që Himara është Greqi./dritare.net