
Nga Etleva Kondakçiu
Meqë më pyesin shpesh për tarifat e përkthimit, po ndaj ato dhe ca gjëra të tjera që duhet të dini nëse ju lind nevoja për shërbime përkthimi. Këto janë të gjitha nga përvoja ime prej më shumë se 20 vjetësh. Nuk janë formula universale.
Nëse ju duhet përkthimi si shërbim, cilat janë disa gjëra bazë që duhet të dini?
Përkthimi me shkrim
Si matet?
Ka disa mënyra matjeje.
Këtu tek ne matet zakonisht me faqe. Shteti, për shembull, e llogarit kështu: 1 faqe = 1800 karaktere, duke përfshirë edhe hapësirat. Karakteret janë shkronja, shifra, simbole, ose thjesht një e rënë e tastierës.
Mënyra të tjera matjeje: çmim për fjalë ose çmim për faqe të ndryshme (1 faqe mund të llogaritet edhe si 1500 karaktere, 2000, 2200, ose si 250 fjalë, 300 fjalë). Kujdes! Vërjuani veshin këtyre matjeve, se mund të krijoni perceptim të gabuar. Nëse unë të jap një çmim prej 20 eurosh për faqe dhe dikush tjetër 10 euro për faqe, pyet: Po sa e ke faqen?
Shteti është vetëm NJË prej klientëve.
Klientë të tjerë mund të jenë: njerëz të zakonshëm që duan përkthimin e një dokumenti, një dëftese, një dokumenti makine, një raporti mjekësor, etj.
Organizatat joqeveritare
Organizatat ndërkombëtare
Biznese private
Përkthimi është një shërbim si shumë shërbime të tjera, si për shembull shërbimet mjekësore, arkitekturore, etj. Pra, shteti ka çmimet e veta, të cilat unë vetë shpesh ua tregoj klientëve, që të kenë një ide (çmim reference). Secili nga ne që ushtron një aktivitet privat, vendos çmimin e vet.
Sa paguhet përkthimi?
Sërish, po marrim çmimet e shtetit si referencë:
Përkthimi me shkrim
1 faqe nga shqip në gjuhë të huaj është 1600 lekë (pa tvsh)
1 faqe nga gjuha e huaj në shqip është 1300 lekë
1 orë përkthim kushton 4200 lekë (KUJDES! Përkthimi është shumë i lodhshëm për shkak të përqendrimit që kërkon. Për këtë arsye, përkthimi me gojë bëhet nga dy përkthyes, madje në rastet e takimeve shumë intensive ose shumë teknike, mund edhe të duhen tre përkthyes). Pra, nëse takimet tuaja zgjasin më shumë se një ose maksimumi dy orë, llogarisni që ju duhen 2 përkthyes.
Shembull: Keni një takim që zgjat 4 orë. Pagesa për përkthyes 50 euro/ora. Secili duhet të paguhet 200 euro. Të dy bashkë 400 euro. Në rast se ai që ju faturon është edhe objekt i tvsh-së, do duhet që të shtojë në faturë edhe tvsh-në.
Ndodh që keni rënë dakord me një përkthyes për një takim dhe për një arsye cfarëdo, takimi ose nuk zhvillohet fare ose zhvillohet, por nuk ka nevojë për përkthim.
Për të qenë të drejtë, parashikojeni këtë që në momentin që bini dakord me përkthyesin. A do paguhet përkthyesi? Nëëe po, sa do paguhet në këtë rast? Ka disa modele:
1. Nëse përkthyesi, sipas marrëveshjes që keni bërë, paraqitet në vendin dhe orën ku do të zhvillohet takimi dhe për arsye që nuk kanë të bëjnë me të, nuk ofron shërbim, ai/ajo paguhet fiks aq sa ishte parashikuar (përkthyer shkurt: nuk është faji i tij/saj që nuk përktheu, duhet t’i kishit marrë masat juve, organizatori i takimit).
2. Nëse e njoftoni disa ditë përpara se nuk do ju duhen shërbimet e përkthimit, mund të mos e paguani fare. Se sa ditë para, do duhet ta vendosni paraprakisht bashkë me të. (në këtë rast, përkthyesi ose e ndan mendjen dhe pushon atë ditë, ose merr përsipër një punë tjetër, po ama nuk i shkon dita dëm për shkak të anulimit).
3. Nëse e njoftoni sot për nesër, duhet t’i paguani një shumë minimale. Pse? Sepse sot ai/ajo, me shumë gjasë, nuk ka mundësi të gjejë një tjetër punë për nesër. Kërkesat që mund t’i kenë ardhur i ka anuluar se të ka dhënë fjalën ty. Diçka sa për të kompensuar sadopak fitimin e munguar e meriton ta marrë. Në anglisht njihet si “availibility fee”. Mund të jetë, për shembull, aq sa do paguhej për një orë punë.
Sa janë çmimet në treg?
Variojnë shumë. Ka edhe çmime më të ulëta sesa ato të shtetit, ka edhe shumë më të larta. Jo gjithmonë çmimi i përgjigjet cilësisë.
Përkthimet me shkrim mund të shkojnë nga 8 deri në 20-30 euro për faqe.
Përkthimet me gojë mund të shkojnë nga 200 deri edhe në 700-800 euro dita. Kujdes! Çmimi nuk i përgjigjet gjithmonë cilësisë!
A duhet të zgjedh një përkthyes individual (freelancer) apo një kompani përkthimi?
Pse përkthyes individual?
Sepse e di kë po merr, e zgjedh në bazë të përvojave të mëparshme ose burimeve të sigurta.
Pse jo një përkthyes individual?
Sepse në rast se për një arsye, nuk vjen dot (sëmuret për shembull ose ka një hall familjar), duhet të gjesh zëvendësues në moment të fundit. (Praktika e mirë është që nëse i kërkon një përkthyesi të tillapunë, urgjente, ta paguash edhe më shumë që t’ia vlejë edhe për atë që të lërë rehatin e vet dhe të të përgjigjet).
Pse kompani?
Kompania ka disa përkthyes të vetët. Në mos njëri, tjetri do jetë i disponueshëm. E mira është që në rastin e kompanive, ta dish që më përpara se kush do jetë përkthyesi. Ai/ajo duhet të përgatitet dhe mund ta informosh paraprakisht për cdo detaj, të flasësh pak me të, e ndihmon që ta bëjë punën mirë e të ndihet më i sigurt.
Kompania mund edhe të të kushtojë me shtrenjtë, sepse të jep më shumë garanci, garanci që i kushtojnë më shumë sesa një individi që punon nga shtëpia e vet, pa marrë përsipër të gjejë një zgjidhje në rast se ai/ajo ka një hall./dritare.net

















