Nobeli në Kimi shkon për dy shkencëtarë: Ja zbulimi që i shpërbleu!
Dritare.net

Shkencëtarët Henri Kagan dhe Kenso Soai janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Kimi për vitin 2026. Ata u nderuan për zbulimet e tyre mbi mënyrën se si krijohen dhe zhvillohen disa lloje të veçanta molekulash në proceset kimike.
Komiteti Nobel tha se puna e tyre ka ndihmuar në kuptimin më të mirë të molekulave që kanë dy forma të ndryshme, të ngjashme me imazhin e një dore në pasqyrë.
Këto molekula quhen kirale. Ato duken pothuajse njësoj, por janë të ndryshme dhe nuk mund të vendosen plotësisht njëra mbi tjetrën, njësoj si dora e majtë dhe dora e djathtë.
Heiner Linke, kryetar i Komitetit Nobel për Kiminë, e shpjegoi këtë duke përdorur pikërisht shembullin e duarve të njeriut.
Zbulimet e Kagan dhe Soai kanë rëndësi për kiminë moderne, pasi ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë dhe të kontrollojnë më mirë mënyrën se si krijohen molekula të ndryshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në zhvillimin e substancave dhe materialeve të reja.
Çmimi Nobel në Kimi është pjesë e çmimeve të krijuara nga Alfred Nobeli, kimisti dhe shpikësi suedez. Çmimet jepen çdo vit për arritje të rëndësishme në shkencë, letërsi dhe fusha të tjera.
Kagan dhe Soai do të marrin medaljet e Nobelit nga Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf, në ceremoninë që do të zhvillohet në Stokholm më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.
Dy shkencëtarët do të ndajnë mes tyre edhe çmimin prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë.
Vitin e kaluar, Nobeli në Kimi iu dha Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar Yaghi për zhvillimin e materialeve të reja që mund të ndihmojnë në përballimin e problemeve si ndryshimet klimatike dhe mungesa e ujit të pijshëm./L.F-dritare.net