
Njohja ndërkombëtare mbetet prioritet, Kosova synon të paktën 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së
Dritare.net

Intervistë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në New York: “Jetojmë në një kohë ku opinion publik i brendshëm është kyç në bërjen e politikës së jashtme dhe çdokush që e injoron mund të përballet me pasoja”
Zoti ministër, së pari urime për rikthimin në krye të diplomacisë kosovare. Cilat do të jenë disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet puna juaj në këtë detyrë?
Si ministër i Jashtëm do të vazhdoj të zbatoj programin e qeverisë të hartuar në fund të vitit 2014, ku pjesa e politikës së jashtme ka qenë shkruar dhe negociuar nga unë me partnerët e koalicionit. Kështu që ne do të kemi një vazhdimësi në politikën e jashtme dhe objektivat që i kemi përcaktuar pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 do të mbesin edhe më tutje prioritet. Këto kanë të bëjnë me njohjen diplomatike të Kosovës, së dyti me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, së treti me një politikë aktive rajonale në Ballkan, së katërti me rikthimin tonë në Evropë përmes anëtarësimit në BE dhe në NATO, si dhe me kultivimin e raporteve të veçanta me SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Francën si dhe krijimit të një bashkëpunimi institucional me shtetet jopërkrahëse të pavarësisë.
Ishte bërë një lloj tradite që fjalimet e përfaqësuesit të Kosovës, në seancat e Këshillit të Sigurimit, të fillonin me emrat e shteteve që kishin njohur Kosovën gjatë periudhës tremujore. Këto njohje kanë shterruar. A është arritur një pikë saturimi këtu, apo është zhvendosur vëmendja tjetërkund?
Njohja ndërkombëtare mbetet prioritet. Kosova do të duhej që të njihet të paktën nga 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, meqë kjo do të tregonte që shumica absolute e shteteve në botë e njohin dhe e pranojnë pavarësinë e saj, dhe njëkohësisht do të mundësonte që anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe agjenci të OKB-së do të ishte i pandalshëm. Në këtë drejtim, ne do të bëjmë përpjekje që ta rrisim dhe zgjerojmë gjeografinë e njohjeve dhe do të luftojmë për cdo njohje të mundshme. Por krahas njohjes, ne kemi nevojë që t’i kultivojmë apo forcojmë marrëdhëninet me shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën. Qëllimi i jonë nuk është vetëm zgjerimi i sovranitetit por dhe ushtrimi i sovranitetit i cili duhet të ndodhë në baza ditore në planin dypalësh dhe shumëpalësh.
Kosova ka humbur edhe betejën për anëtarësimin në UNESCO me vetëm dy vota, ku një llogaritje në parim, pa ditur detajet individuale, të lë përshtypjen se disa vende që e njohin Kosovën nuk pranuan të votojnë për të. Kjo mund të mos jetë hera e parë. A do të ketë rishikime dhe analiza për faktorët dhe argumentet që kanë ndihmuar apo sabotuar Kosovën së fundi?
Anëtarësimi i Kosovës në organizata të shumta rajonale dhe ndërkombëtare ka qenë deri më tash i suskesshëm dhe UNESCO padyshim është një përjashtim. Por natyrisht që ka qenë një goditje për Kosovën. Megjithatë lajmet pozitive që morri vendi me anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA si dhe së fundi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe Konventën Apostile, së bashku me anëtarësimet në 50 organizata në shtatë vitet e fundit të gjitha këto flasin për atë që Kosova ka arritur të anëtarësohet aty ku ka pasur domosdoshmëri dhe nevojë. Me këtë dua të them që vendi natyrisht që ka nevojë që gradualisht të anëtarësohet në sistemin ndërkombëtar nëpërmes anëtarësmit në organizata, por ne mund të aplikojmë vetëm në ato organiztta të cilat i përmbushin kërkesat e brendshme të shoqërisë dhe ekonomisë në Kosovë, si dhe i përmbushin po ashtu edhe pritjet e politikës së jashtme të vendit. Natyrisht që për shembujt e suksesit dhe rastet e dështimit janë bërë dhe do të bëhen analiza. Përtej kësaj, vendi duhet ta shtroj pyetjen në formën se në cilat organizata ndërkombëtare ka nevojë të anëtarësohet, cfarë përfitime sjellin këto organizata, dhe a mund të ketë të tilla që mund të sjellin edhe pasoja gjeopolitike për vendin. Nëse disa vende nuk kanë votuar për Kosovën në UNESCO, dhe janë mbështetës të pavarëisë këtë nuk e kanë bërë në raport me Kosovën por për shkak të temave të tjera të politikës ndërkombëtare. Ne do të punojmë ngushtë dhe do të koordinohemi me partnerët ndërkombtëar për të aplikuar dhe u anëtarësuar në UNESCO.
Shumë po debatohet edhe për çështjen e heqjes së vizave, investimet, NATO-n etj që sjell pyetjen tjetër se si në çdo vend tjetër, disa ministrive u mbivendoset puna në çështje të caktuara. Sa harmoni ka kjo qeveri koalicioni, sipas vëzhgimit tuaj?
Koalicioni qeverisës ka një koordinim të mirë të politikës së brendshme por edhe asaj të jashtme. Edhe pse koordinimi mes sektorëve të caktuar në Kosovë por edhe në rajon është një gjë e vështirë pasi pothuajse cdo kush pretendon të merret me tema të politikës së jashtme. Natyrisht që në kohën globale në të cilën jetojmë dallimi mes temave të brendshme dhe të jashtme është më pak i dukshëm se sa në të kaluarën. Sa i takon investimeve të huaja direkte, ky është një perioritet për shumë sektorë por edhe për ministrinë e Jashtme meqë Kosova po lëviz nga një fazë e shtetndërimit drejt një faze të ndërtimit të një shoqërie ku zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës dhe mirëqenia e njerëzve është kyce. Po ashtu, edhe cështja e heqjes së vizave ka të bëjë me kërkesën e brendshme të shoqërisë kosovare që të lëviz pa viza drejt Evropës. Por sikurse investimet edhe kjo temë është një shembull tipik se si nëpërmes një politike të jashtme aktive mund ose të mos përmbushen kërkesat e brendshme të një shoqërie. Mendoj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, por BE-ja nuk ka qenë e drejtë në raport me Kosovën jo vetëm sa i takon marrjes së vendimeve por edhe sa i takon gjeografisë në të cilin është grupuar Kosova në procesin e liberalizimit të vizave që ka të bëjë me Turqinë, Gjeorgjinë, Ukrainën – vende me të cilat Kosova nuk ka pothuajse asgjë të përbashkët meqë e ardhmja e saj evropiane është shumë më e qartë dhe vendet me të cilat Kosova dallon shumë sa i përket madhësisë demografike.
Që nga koha kur ishit ministër i Jashtëm, Kosova ka kaluar një vit dramatik, në politikën e brendshme. Pa dyshim që ngjarjet e skajshme, si për shembull tymnajat e përsëritura në Kuvend, ndikojnë keq në imazhin e vendit deridiku, po në vija të përgjithshme sa ndikon njëdemokraci funksionale dhe një ekonomi e forcuar, në punën e ministrisë së Jashtme?
Politika e jashtme cdo herë është një zgjatje e politikës së brendshme, meqë qëllimet e saj përcaktohen nga brenda edhe nëse sjellja e një shteti ndërkombëtarisht ndodhë jashtë tij. Vecanërisht kriza politike apo edhe bllokada institucionale ndikojnë fuqishëm në përmbushjen e qëllimeve të politikës së jashtme. Dhe në Kosovë, përkundër asaj që vendi është përcjell me një stabilitet politik, viteve të fundit stabiliteti shpesh herë është zëvendësuar me cikle të krizave. Kur në mes të 2014-ës, si pasojë e një përpjekje për të mos njohur rezultatet e zgjedhjeve dhe krijimin e një blloku kundërshtues, vendi hyri në krizë dhe për një periudhë prej gjashtë muaj pas zgjedhjeve nuk mund të krijohej qeveria, kriza e brendshme ka ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e disa prej pritjeve të politikës së jashtme. Por më shumë se sa kjo, viti 2015 dhe gjysma e parë e 2016-ës, do të mbesin në histori të Kosovës si vite të jostabilitetit politik për shkak të faktit që partitë në opozitë nuk ishin të gatshme të ballafaqojnë me argumente pikëpamjet e tyre rreth shqetësimeve që ata i kishin për demarkacionin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ata vendosën të përdorin metoda jo demokratike të cilat jo vetëm paralizuan punën e Kuvendit dhe shtetit të Kosovës por dëmtuan edhe imazhin e vendit në botë. Kështu që vetëm një vend përformon brenda tij në kuptim të stabilitetit ekonomik, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik atahërë mund të pritet që edhe pesha e tij ndërkombëtare të jetë më e vecantë dhe të respektohet. Për më shumë, sipas vlerësimeve të instituteve të ndryshme të marrëdhënieve ndërkombëtare mendohet se ka rreth 70% të shteteve në botë që janë anëtarë të OKB-së të cilat nuk i përmbushin qëllimet e tyre në politikën e jashtme për shkak të parametrave dhe trendeve të brendshme në politikën, ekonominë dhe shoqëritë e tyre.
Protestat e opozitës në Kosovë po i përmend edhe ngaqë shumë nga argumentet që nxisin ato kanë të bëjnë edhe me politikën e jashtme. A do të ishte anormale për qeverinë që të këshillohej dhe afronte disi opozitën për çështje të caktuara të politikës së jashtme, me shpresën për ta mbajtur përmbi përplasjet, shpesh pa rrugëdalje të luftës ndërpartiake? Si i gjykoni ju situatat e dala nga debatet për demarkacionin dhe dialogun në Bruksel?
Për mendimin tim, Kosova lëviz nga një fazë e parë në mes të vitit 2008 dhë në vitin 2014 të shtetndërtimit duke zbatuar planin e Ahtisaarit dhe duke rrit njohjen ndërkombëtare në një fazë të dytë të ndërtimit të një shoqërire. Dhe çdo herë, ndërtimi I një shoqërire përcillet me tensione, mospajtime dhe kriza të cilat ne I kemi përjetuar në vitet 2015-2016. Kjo është mënyra se si unë e lexoj atë cfarë ka ndodhur dhe që po ndodhë aktualisht në Kosvoë. Përtej kësaj, politika e jashtme sikurse është në shembulin e dialogut ka të bëjë me tema të ndhjeshme dhe të rëndësishme meqë marrëdhënia e jonë me Serbinë është e vështirë në një proces të normalizimit, dhe meqë Serbia ndjek një politikë edhe më tutje destruktive në raport me Kosovën. Në këtë drejtim, duhet të ruhet me cdo kusht kultura e konsensusit drejt një pajtimi mbipartiak për tema të politikës së jashtme sikurse dialogu. Dhe qevertia e cila e udhëheq dialogun duhet të japë sa llogari po aq të jetë edhe e përgjegjshme për relevancën që e ka ky proces. Unë mendoj se deri më tani ka pasur një llogaridhënie të mirëfiltë sa i takon dialogut por jo ndoshta edhe jo një informim të rregullt të plotë sepse dialogu është në interes të shtetit të Kosvoës. Në jetojmë në një kohë ku opinion publik i brendshëm është kyç në bërjen e politikës së jashtme dhe çdokush që e injoron mund të përballet me pasoja.
Më duket nganjëherë se debatet politikës së brendshme në Kosovë zhvillohen me idenë sikur bota është po ajo e vitit 1999 dhe 2008. Në fakt, këto ditë Britania e Madhe ka një referendum për të dalë ose jo nga BE, ku flitet për fundin e bllokut 28 vendësh. Kandidati presidencial republikan ka thënë se NATO mund të shpërbëhet. Rusia është bërë agresive dhe po investon një ritkhim në Ballkan. A reflekton dhe përshtatet diplomacia kosovare ndaj këtyre ndryshimeve në botë?
Një shtet i ri dhe i vogël si `Kosova duhet vazhdimisht të ndjekë një politikë të jashtme me qartësi gjeopolitike, me prioritete afatgjata por në të njëjtën kohë të përshtatet vazhdimisht në rrethana të reja. Unë pajtohem me konstatimin e juaj që bota nuk është ajo e vitt 1999 dhe e shkurtit të vitit 2008 kur Kosova e ka shpallë pavarësinë meqë në këtë kohë botë aka qenë më shumë njëpolare se sa është sot. Krizat e reja në Evropë Lindore sikurse Ukraina, fenomeni i një demoni të ri sikurse ISIS në Lindje të Mesme dhe dështimi i Pranverës Arabe sëbashku me krizën e emigrantëve që e ka godit Evropën duke përfshirë edhe referendumin në Britani të Madhe për largimin e këtij vendi nga BE-ja të gjitha këto flasin për një peisazh të ri ndërkombëtar. Natyrisht që Kosova është me fat të madh për shkak se SHBA-ja edhe më tutje janë dhe do të mbesin superfuqia e vetme ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Dhe BE-ja edhe më tutje është një fuqi e butë rrezatuese në botë por Brexit natyrisht që duhet të analizohet nga politika e jashtme kosovare se cfarë do të thotë për Kosovën në të ardhmen meqë Britania e Madhe ishte një fuqi udhëheqëse e Bashkimit Evropian dhe është një partner i rëndësishëm i Kosovës në botë. Në këtë drejtim, ne duhet të sillemi në politikën e jashtme sa më qëndrueshmëri strategjike po aq edhe me fleksibilitet në përmbushjen e qëlimeve tona varësisht nga rrethanat e reja ndërkombëtare.
Një vend kyç në zhvillimet e këtyre dy dekadave të fundit në Ballkan ka qenë SHBA. Po të dëgjosh debatet sot në këtu variojnë nga ankesa se SHBA është tepër e angazhuar në botë, te ankesa se po braktiset roli udhëheqës nëpër botë. Si e gjykoni vëmendjen dhe angazhimin amerikan në Kosovë dhe Ballkan sot? Çfarë do të kishit dashur të ndryshonte?
Ngritja e shtetit të Kosovës ka qenë në thelb rezultat I ngritjes së Amerikës në planin global pas Luftës së Ftohtë, dhe bota nuk do të ishte ajo se cfarë është sot dhe as paqja e stabiliteti në Evropë nuk mund të imagjinohen pa rolin përcaktues të SHteteve të Bashkuara të Amerikës. Skenarë të tillë që Amerika gjoja se nuk e ka rolin udhëheqës në botë se si e ka pas ose që mund të ketë një ndryshim të balancave të fuqive mes aktorëve më të mëdhenjë ndëkrombëtarë, janë të pasaktë dhe të paqëndrueshëm qoftë në parametra ekonomikë apo në ata ushtarakë dhe të tjerë. Edhe gjatë shekullit XX ka pas shpeshë herë mendime të tilla perifierike të cilat janë treguar të pasakta. Sa I takon raportit në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, për ne Amerika është një partner global dhe një euroatlantik meqë rruga e anëtarësimit tonë në OKB kalon nëpërmes Washingtonit sikurse edhe anëtarësimi jonë i ardhshëm në NATO dhe BE. Në këtë drejtim nga malet e Ballkanit ne e shohim Amerikën në botë. Mbi të gjitha, ne jemi të interesuar ta shtyjmë përpara dhe formalizojmë Partneritetin Strategjik me SHBA-të.
Ju keni vizituar para dy javësh Shtetet e Bashkuara. Dhe kur e zhvillojmë këtë intervistë jeni sërish në New York. Çfarë ka qenë në qendër të aktivitetit tuaj?
Pas emërimit tim si ministër i Jashtëm unë kam bërë vizitën time të parë zyrtare në SHBA që ka pasur sa një funksion simbolik për të treguar që SHBA-të janë partneri kryesor I Kosovës po aq edhe një qëllim pragmatik për t’u koordinuar ngushtë me partnerët amerikanë në tema dhe cështje të politikës së jashtme. Njohja diplomatike e Kosovës, anëtarësimi në organizata ndëkrombëtare, krijimi i një raporti kontraktual me Bashkimin Evropian si dhe një marrëdhënie të re me NATO-në së bashku me shumë proces të brendshëm të shtetndërtimit, janë të ndërlidhur direkt me mbështetjen e pakursyes të deritanishme amerikane. Kështu që për këto tema, dhe për shumë objektiva të politikës së jashtme ne do të koordinohemi me partnerët amerikanë. Ndërsa meqë New Yorku është qëndra më e madhe multilaterale e botës për shkak të faktit se është selia e OKB-së, dhe shumë agjensive të tjera ndërkombtare, unë kam bërë përpjekje që gjatë kësaj kohe të kem takime me disa vende jo-njohëse dhe që të loboj për të rritur dhe zgjeruar njohjen ndërkombtëare të Kosovës. Shpesh herë ne kemi keqkuptim çfarë përfaqësojnë ambasadorët e akredituar në New York por këta janë njerëz që kanë ndikim të madhe të politiës së jashtme të cdo shteti vec e vec ndërsa për në grup të shteteve shpesh herë janë edhe vendimtarët në dhënien e pëlqimit apo edhe refuzimin e njohjes së Kosovës.
Zakonisht, asgjë nuk shijon më shumë sesa një shans i dytë. Ju si po përjetoni këtë rikthim në krye të diplomacisë së Kosovës? Çfarë përfaqëson ky moment në jetën tuaj?
Për mua politika e jashtme është më shumë një pasion dhe profesion se sa pozitë dhe funksion. Unë nuk jam i shqetësuar për fenomentet e politkës së jashtme vetëm si njeri në politikë por edhe me një dimension intelektual. Kohëve të fundit kam bërë përpjekje që t’i përmbledh analizat dhe pikëpamjet e mia në një libër I cili është një kornizë intelektuale se si do të duhej të kuptohet më thellë karakteri, qëllimet dhe e ardhmja e politikës së jashtme të Kosvoës.
Ky libër është më shumë një ftesë për të krijuar një mendim strategjik se cfarë rruge deri më tash ka ndjekur Kosova në ngritjen e saj ndërkombëtare si shtet I rid he cfarë janë sfidat me të cilat mund të ballafaqohet në të ardhmen. Kështu që këtë periudhë të ndërmjetme e kam shfrytëzuar maksimalisht për shkrimin e këtij libri. Prandaj rikthimi për mua nënkutpon përgjegjësi më shumë dhe e re për vazhdimin e një misioni të vjetër. Përderisa Kosova nuk anëtarësohet në OKB, në BE dhe në NATO unë do të punoj parreshtuar asaj pavarësisht pozitave dhe funksioneve që mund të kem./Illyria/

















