
Një efektiv policie është vrarë sot në fshatin Baltëz të Fierit.
Viktima është Novruz Cenalia, 28 vjeç, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, i cili shkonte për të marrë shërbimin. Ai ishte i veshur me uniformën e policisë.
Vrasja ka ndodhur sot në mesditë pranë spitalit 'Memorial' në Fier. Burimet bëjnë me dije se autori, i identifikuar Asllan (Azgan) Mernica u largua me një makinë blu.
Një nga pistat e hetimit është hakmarrje e së shkuarës. Babai i tij ka vrarë një person.
Njoftimi zyrtar:
"Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje./L.F-dritare.net

















