Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Sot merret masa e sigurisë për autorin, xhaxhain dhe rojen e Apelit!

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Sot merret masa e sigurisë për autorin,
Në foto është Autori Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe gjyqtari i vrarë

Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj, do të dalin sot në orën 08:00 para Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, pas arrestimit për ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Seanca do të mbahet në Dhomën Penale të Gjykatës dhe do të mbahet me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit. Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Për sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thekson se ka dyshime që Gjon Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë më herët në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që ai i konsideronte si uzurpues të pronës. Madje, sipas hetuesve, edhe vetë familjarë të tij kanë paraqitur kallëzime në polici për kanosjet e vazhdueshme.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion./dritare.net