
Vlerësimi i mësuesve, Vokshi: Kushi ka nxjerrë pyetjet. Ministrja: Lë postin nëse e vërteton!
Dritare.net
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, pjesë e Komisionit të Rithemelimit akuzoi Ministrinë e Arsimit, për nxjerrjen e pyetjeve të provimit të Vlerësuesve të Arsimit Parauniversitar.
Vokshi ndërsa tregon një mesazh që ka ardhur në adresë të saj, akuzon Ministren e Arsimit, Evis Kushin, se pyetjet kanë dalë me porosi të saj, që të certifikohen të njohurit e Ministres dhe militantet e partisë.
Në një përgjigje, ministrja e Arsimit Evis Kushi hedh poshtë akuzat e Vokshit, ndërsa shton se nëse ajo provon akuzat, është e gatshme të lërë detyrën.
“Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve.
Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.
Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cenojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor”, thuhet në reagimin e ministres./L.F-dritare.net

















