Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Video/ Si votohet konkretisht  me listat e hapura dhe listat e mbyllura!

Video/ Si votohet konkretisht  me listat e hapura dhe listat e mbyllura!

Nga Isa Myzyraj

Reforma Zgjedhore, është tema e ditës, dhe një ndër çështjet më të diskutuara në publik kohët e fundit.

Partitë kanë arritur një marrëveshje, por ende nuk është folur hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Aktualisht vendi ynë aplikon një sistem proporcional me lista të mbyllura, ndërsa nga shumë persona po kërkohet sistem proporcional me lista të hapura.

Sistemi zgjedhor sipas marrëveshjes së famshme të 2009, do të bënte që kryetari i partisë politike të ketë një fuqi të madhe, por u dha një goditje të fortë partive të vogla politike, shumica e të cilave nuk mund të kalonin pragun elektoral.

Në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, janë aplikuar deri më tani 4 lloje të sistemeve zgjedhore.

Në zgjedhjet e para të datës 31 mars 1991 u aplikua sistemi mazhoritar i zgjedhjeve. Pas këtyre zgjedhjeve, është aplikuar sistemi i përzier mazhoritar me dy raunde, dhe prej këtij sistemi dilnin 100 deputetë dhe nga sistemi proporcional dilnin 40 deputetë. Më pas është aplikuar sistemi i përzier me mazhoritar të thjeshtë për 100 deputetë dhe proporcional për 40 deputetë. Pas marrëveshjes së famshme të 2009, në Shqipëri u vendos sistemi proporcionla rajonal.

Autorë të shumtë të sistemeve zgjedhore kanë shkruar e shpjeguar se si mund të ralizoheshin zgjedhet demokratike.

Sistemet zgjedhore ndahen në dy lloje: Sistemi proporcional, dhe mazhoritar.

Të dy sistemet e lartpërmendura, kanë edhe ndarjet përkatëse të tyre.

Sistemi proporcional nënkupton, se përqindja e votave që fiton një parti politike në nivel shtetëror, përkthehet proporcionalisht në përqindje të vendeve të fituara në parlament.

Në këtë sistem kandidatët për deputetë renditen në listën e partisë në një numër rendor, dhe futja e tij në kuvend varet pikërisht nga numri që ai mban në listë. Vendi ndahet në zona zgjedhore, dhe nëse partia si logo, fiton 50 përqind të votave në rang vendi, atëherë ajo do të marrë përafërsisht 50% të vendeve në kuvend.

Sistemi proporcional ka edhe dy nëndarje të tjera.

Sistemi proporcional me listë dhe Sistemi proporcional i votës së vetme të transferueshme.

Sistemi proporcional me listë është një sistem zgjedhor kur partia politike rendit vetë kandidatët dhe i prezanton ato sipas dëshirës së saj. Në fletën e votimit votuesit votojnë, partinë politike. Specifikë e veçantë e këtij sistemi është se shtetet vendosin një prag elektoral. Në këtë sistem, mund të arrihet edhe marrëveshje që listat të jenë të hapura ose të mbyllura. Në rastin e listave të mbyllura, nëse në një zonë zgjedhore do të dalin 10 deputetë, partia i rendit 10 kandidatë nga 1 deri tek 10, ndërsa zgjedhësit votojnë vetëm partinë. Ndërsa në rastin e listave të hapura, partia vendos 10 kandidatë, por zgjedhësit, votojnë partinë ndërsa ata kanë mundësinë që mes 10 kandidatësh të vendosin vetë renditjen e kandidatëve për deputetë.

Sistemi proporcional i votës së vetme të transferueshme, është sistemi ku zgjedhësi bën renditjen preferenciale të kandidatëve në zonën e tyre zgjedhore. Zgjedhësi, mund të rendisë sipas dëshirës së tij kandidatët.

Ajo që e dallon këtë sistem është numrimi i votave dhe formula nga e cila kandidati fiton mandatin e tij.

Kështu, pas përfundimit të numërimit të votave sipas preferencave të para, del numri total i votave për secilin kandidat. Nëse kandidati, ka fituar një numër X votash më shumë ose barazim, me një kuotë të papërcaktuar, ai do të fitojë mandatin.

Kuota në këtë rast llogaritet sipas një formule të quajtur Droop.

Formula Droop është:

Kuota=[votat e vlefshme në zonën zgjedhore/ (numrin e vendeve +1)]+1

Pasi kalohet kjo procedurë, vijon numërimi i votave për të gjithë kandidatët që nuk e kanë kaluar kuotën. Në këtë proces të dytë të numërimit, merren votat shtesë të kandidatit i cili tanimë ka fituar mandatin, dhe i kalohen preferencave të dyta të zgjedhësve. Por, edhe në këtë rast, procesi është i ndërlikuar, pasi numërimi i votave shtesë bëhet sipas një përqindje funksionale të një vote.

Nësë asnjëri nga kandidatët e një partie nuk ka arritur të kalojë kuotën, atëherë eliminohet kandidati që ka më pak vota, dhe votat e tij shpërndahen tek kandidatët e tjerë./ Dritare.net