
U arrestua pas atentatit në Shkodër. Çfarë tha në polici autori Ragip Gila!
Dritare.net
Ragip Gila, autori i dyshuar i masakrës së 8 shtatorit në Shkodër, ka dhënë dëshminë e tij të parë para policisë, ku ka deklaruar se shënjestra e atentatit ishte vetëm 43-vjeçari Erogen Vaso (Brajoviç), me të cilin thotë se kishte një konflikt personal. Nga breshëria e plumbave në lokalin pranë Bashkisë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
Në deklaratën e dhënë para oficerëve, Gila ka thënë se konflikti i tij ishte vetëm me 43-vjeçarin Brajoviç:
“Erogen Vaso më ka kërcënuar, kemi pasur probleme. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë. Nuk kam pasur gjë me të tjerët.”
Autori u kap pas një ndjekjeje policore, pasi u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në ato momente, ai i është përgjigjur thirrjes së uniformave blu duke deklaruar: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.” Pas kësaj, Gila u arrestua dhe u dërgua për mjekim.
Megjithatë, policia po e trajton me rezervë versionin e dhënë prej tij dhe po heton nëse pas atentatit qëndrojnë persona të tjerë që mund ta kenë porositur ekzekutimin e Erogen Vasos, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë./K.C/dritare.net

















