
Ndeshja Shqipëri–Letoni. Rrugët e bllokuara dhe masat!
Dritare.net
Policia e Shtetit ka prezantuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri–Letoni, e cila do të zhvillohet më 9 shtator 2025, në orën 20:45, në “Air Albania Stadium”.
Plani parashikon shoqërimin dhe sigurimin e ekipeve kombëtare, kontrolle të hollësishme në stadium, menaxhimin e rendit publik dhe trafikut në Tiranë, si dhe sigurimin e hapësirave për shërbimet emergjente. Në këtë kuadër, është bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, zjarrfikësit, spitalet dhe shoqëritë private të sigurisë.
Për të garantuar sigurinë, nga ora 17:00 e datës 9 shtator do të ketë kufizime të qarkullimit në disa rrugë pranë stadiumit, ndërsa janë përcaktuar edhe vendparkime të posaçme për autobusët dhe automjetet e tifozëve që vijnë nga qytete të ndryshme.
Policia apelon tifozët të mos tentojnë futjen e sendeve të ndaluara në stadium, si fishekzjarrë, flakadanë, sende të forta apo banderola me përmbajtje raciste. Po ashtu, paralajmërohet se çdo dron që do të ngrihet mbi perimetrin e stadiumit do të neutralizohet me pajisje anti-dron.
Në njoftim theksohet se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, përfshirë hyrjen e paautorizuar në fushë, hedhjen e sendeve të forta apo përdorimin e mjeteve piroteknike, përbëjnë vepra penale dhe dënohen me gjobë ose burgim deri në tre vjet, sipas Kodit Penal. Dhuna ndaj sportistëve, trajnerëve, arbitrave ose zyrtarëve sportivë dënohet deri në pesë vjet burg.
Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00. Policia u bën thirrje qytetarëve të mos publikojnë biletat në rrjete sociale, pasi ato mund të dublikohen dhe të përdoren në mënyrë të paligjshme. Çdo biletë është personale dhe kontrollohet automatikisht në hyrje./l.f-dritare.net

















