
Presidenti Begaj dekreton datën, ja kur nis Kuvendi!
Dritare.net
Më 12 shtator 2025, në orën 10:00, do të zhvillohet mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë. Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli një mesazh urimi dhe reflektimi për deputetët e rinj dhe gjithë qytetarët.
“Kuvendi është simbol i demokracisë, hapësira ku duhet të dëgjohen dhe respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Presidenti Begaj. Ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se Kuvendi ka “nderin dhe detyrimin të përfaqësojë aspiratën e shqiptarëve për një Shqipëri europiane”.
Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e reformave, funksionimit të drejtësisë së pavarur dhe luftës kundër korrupsionit, duke e cilësuar anëtarësimin në BE si një proces transformues që kërkon “reforma të thella dhe angazhim të palëkundur”.
Ai u bëri thirrje mazhorancës të ushtrojë pushtetin me përulësi dhe opozitës të jetë aktive e konstruktive, duke e cilësuar dialogun dhe respektin për dallimet si themel të demokracisë.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj vuri në dukje se Shqipëria duhet të ruajë rolin e saj si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, në krah të Kosovës dhe shqiptarëve kudo, si dhe në aleancë të ngushtë me BE, SHBA dhe NATO.
“Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim”, përfundoi Presidenti Begaj, duke uruar suksese deputetëve të legjislaturës së re./L.F-dritare.net

















