Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Policia bastis banesat e fisit Lici pas atentatit me dy të vrarë, në Shkodër

Policia bastis banesat e fisit Lici pas atentatit me dy të vrarë,

Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e fisit Lici pas atentatit që tronditi qytetin këtë mëngjes dhe la dy persona të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur. Megjithatë, deri më tani nuk ka persona të shoqëruar dhe nuk ka asnjë provë që të lidhë fisin Lici me ngjarjen, e cila dyshohet se kishte për shënjestër anëtarin e fisit Bajri, Erogen Brajoviç.

Atentati ndodhi rreth orës 08:50 në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës. Shënjestër ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, i njohur edhe si “Vaso”, i cili është pjesëtar i fisit Bajri dhe vëllai i Denis Brajoviç. Nga sulmi mbetën të vdekur Armando Pali dhe Liridon Kraja, truproja e Brajoviç, ndërsa u plagosën vetë Brajoviç, që mori tre plumba, dhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri.

Autori i dyshuar i atentatit, 29-vjeçari Ragip Gila, është arrestuar nga policia. Erogen Brajoviç ndodhet aktualisht në spitalin e Traumës, duke marrë mjekimin e nevojshëm.

Pistat e hetimit

Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur masakrën. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes, duke marrë parasysh se Erogen Brajoviç është anëtar i fisit Bajri. Nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me masakrën e Dobraçit në tetor të vitit 2024, ku përplasja mes grupeve Bajri dhe Lici mori jetën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, si dhe viktimë mbeti edhe një çift bashkëshortësh që lëviznin pranë.

Report Tv ka siguruar vendimin e lirimit nga qelia të Ragip Gilës më 4 mars 2025. 29-vjeçarit iu pezullua dënimi me burg dhe u lirua me shërbim prove për 5 vite, gjatë së cilës nuk duhet të kryente vepër penale, të mos shoqërohej me persona me precedent penal dhe të mos posedonte armë. Gati 6 muaj më vonë, Ragip Gila shkaktoi këtë atentat në mes të Shkodrës.

Ngjarja ndodh pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua më 4 shtator në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe motivet e sulmit./K.C/dritare.net