
Rëndohet bilanci i atentatit në Shkodër, ndërron jetë në spital një nga të plagosurit
Dritare.net
Atentati me armë zjarri që tronditi Shkodrën mëngjesin e sotëm ka marrë përmasa edhe më të rënda. Pas viktimës së parë, Armando Pali, punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, ka humbur jetën në spital edhe një nga të plagosurit, Geridon Kraja, duke e çuar në dy numrin e viktimave.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Kole Idromeno”, ku autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të një lokali. Përveç viktimave, të plagosur mbetën edhe Erogen Vaso (alias Brajoviq), emër i njohur për drejtësinë dhe politikën lokale, si dhe një grua, kamariere e lokalit ku ndodhi sulmi.
Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar autorin e dyshuar të atentatit, Rakip Gila, 28 vjeç, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet e saj, ndërsa forcat e rendit mbeten të pranishme në Shkodër për të parandaluar përshkallëzimin e situatës./L.F-dritare.net

















