Na ndiqni edhe në

Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë

Sekretet e fermave austriake. Modeli që mund të ndryshojë të ardhmen e blegtorisë shqiptare

Çfarë e bën Austrinë një nga vendet më të suksesshme në blegtori? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në vijim të ciklit "Gjëja e Gjallë të Mban Gjallë", autorja dhe gazetarja Rudina Xhunga, së bashku me stafin e Dritare TV, udhëtuan në zemër të Alpeve Austriake, për të parë nga afër modelin që e ka kthyer sektorin rural në një histori suksesi.

Përmes vizitave në shkolla profesionale, ferma moderne, qendra përpunimi dhe biznese familjare, u bë e qartë se suksesi i Austrisë nuk ndërtohet vetëm mbi subvencionet apo fuqinë ekonomike. Ai mbështetet mbi tre shtylla kryesore: edukimin profesional, traditën familjare dhe përdorimin inteligjent të teknologjisë.

Arsimi profesional, baza e çdo ferme të suksesshme

Një nga ndalesat më domethënëse ishte shkolla bujqësore në Warth, e cila prej dekadash përgatit breza të rinj fermerësh. Aty, nxënësit nuk mësojnë vetëm teorinë, por kalojnë pjesën më të madhe të kohës në praktikë.

Që në moshën 15-vjeçare, ata trajnohen të menaxhojnë një fermë, të rrisin kafshët, të përpunojnë qumështin, mishin, mjaltin apo frutat dhe t'i shndërrojnë ato në produkte me vlerë të shtuar. Mësuesit janë vetë profesionistë të sektorit, ndërsa teknologjia është pjesë e përditshmërisë, me sisteme automatike dhe robotë që ndihmojnë në ushqimin dhe kujdesin për kafshët.

Teknologjia dhe ekonomia qarkulluese

Një tjetër shembull që tërhoqi vëmendjen ishte një fermë moderne pulash, e cila kishte ndërtuar një impiant biogazi. Mbetjet organike shfrytëzohen për prodhimin e energjisë elektrike.

Energjia e prodhuar shitet në rrjetin kombëtar, ndërsa nxehtësia e mbetur përdoret për ngrohjen e stallave dhe banesave. Në këtë mënyrë, çdo mbetje shndërrohet në një burim të ri fitimi, duke ulur kostot dhe duke mbrojtur njëkohësisht mjedisin.

Produktet bio dhe besimi i konsumatorit

Reportazhi u ndal edhe te mënyra sesi Austria ka fituar besimin e konsumatorëve. Çdo produkt me origjinë shtazore kontrollohet dhe certifikohet me standardin AMA, i cili garanton origjinën, cilësinë dhe mirëqenien e kafshëve.

Edhe më të rrepta janë kriteret për produktet organike "Bio", ku ndalohet përdorimi i pesticideve dhe plehrave kimikë. Fermeri i ri Manuel Freiler, i cili menaxhon një fermë me lopë bio, shpjegoi se zgjedhja për të prodhuar organik nuk bëhet vetëm për fitim ekonomik, por sepse është një përgjegjësi ndaj natyrës dhe brezave të ardhshëm.

Kur terreni kthehet në mundësi

Në Alpet Austriake, edhe tokat e pjerrëta kanë gjetur një funksion ekonomik. Franc Riegler i cili prej 42 vitesh mbarështon kaproj të kuq dhe të egër në 15 hektarë tokë malore, tregoi se si një sipërfaqe e konsideruar e papërshtatshme për lopët është kthyer në një biznes fitimprurës.

Kafshët pastrojnë vetë bimësinë, duke reduktuar kostot e mirëmbajtjes, ndërsa mishi i tyre konsiderohet një produkt premium, i pasur me Omega-3 dhe shumë i kërkuar në treg.

Çfarë i mungon Shqipërisë?

Një nga ndalesat më domethënëse ishte një fermë moderne me 155 lopë mjelëse, e ndërtuar me një investim prej rreth 1 milion eurosh, përmes kredisë dhe subvencioneve.

Megjithatë, fermerët austriakë theksuan se paratë nuk janë elementi vendimtar. Sipas tyre, dallimi më i madh mes Austrisë dhe Shqipërisë është se fermat në Austri trashëgohen brez pas brezi dhe menaxhohen nga familjet që e njohin profesionin dhe jetojnë me të çdo ditë.

Në Shqipëri, sipas tyre, shpesh investohet kapital në toka dhe ferma, por mungon tradita, edukimi profesional dhe përkushtimi afatgjatë. Kur ferma shihet vetëm si biznes dhe jo si profesion, rezultatet mbeten larg potencialit.


Cikli Gjëja e Gjallë na Mban Gjallë me autore gazetaren Rudina Xhunga në Dritare TV sjell një mesazh të qartë: zhvillimi i bujqësisë nuk varet vetëm nga fondet apo subvencionet. Ai ndërtohet mbi dijen, edukimin profesional, teknologjinë, respektin për natyrën dhe vazhdimësinë familjare.

Modeli austriak dëshmon se edhe në zona malore mund të ndërtohet një ekonomi rurale e fortë dhe fitimprurëse. Një shembull që tregon se edhe Shqipëria ka potencial të madh, nëse investimi te njerëzit, arsimi dhe teknologjia ecën paralelisht me investimin financiar.

Ky cikël u mbështet nga Raiffeisen Bank Shqipëri dhe Austria Praemix.