Fermeri austriak tregon pse u çudit me fermerët shqiptarë!
Dritare.net

AUSTRI – Investimet dhe teknologjia nuk mjaftojnë për të ndërtuar një bujqësi të suksesshme. Ky është përfundimi që vjen nga turi i Dritare TV në një nga fermat më moderne të Austrisë, në kuadër të ciklit "Gjëja e Gjallë të Mban Gjallë".
Ferma, e cila mbarështon 155 lopë mjelëse, u ndërtua në vitin 2001 nga dy vëllezër së bashku me djemtë e tyre, falë një investimit përmes kredive dhe subvencioneve shtetërore. Për pronarët, ky investim nuk do të kishte kuptim pa vazhdimësinë familjare, edukimin profesional dhe përkushtimin e brezave që trashëgojnë fermën.
Sipas fermerit austriak, Johannes Steiner, pikërisht ky është ndryshimi më i madh mes Austrisë dhe Shqipërisë.
Ai e vuri re këtë kur erdhi për të ndarë eksperiencë në Shqipëri në një fermë në Shijak.
Në Austri, fermat kalojnë brez pas brezi, ndërsa bashkë me tokën trashëgohet edhe dija. Të rinjtë studiojnë bujqësi dhe blegtori, njihen me teknologjitë më të reja dhe rikthehen për të menaxhuar biznesin familjar.
Ai thekson se zhvillimi i bujqësisë gjatë 30 viteve të fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, nga përmirësimi i racave dhe farërave deri te robotizimi i proceseve të fermës. Sipas tij, kush shkëputet nga ky zhvillim edhe për një brez, e ka të vështirë të rikuperojë diferencën.
Fermeri austriak ka punuar edhe në Shqipëri dhe është i bindur se vendi ynë ka kushte natyrore më të favorshme për zhvillimin e bujqësisë. Fushat e gjera, klima dhe temperaturat janë një avantazh i madh, ndërsa edhe çmimi i qumështit është më i lartë se në Austri, duke arritur rreth 55-56 cent për litër, krahasuar me 46 cent që marrin fermerët austriakë.
Megjithatë, sipas tij, problemi nuk është toka dhe as tregu, por mënyra e organizimit të fermave. Në Shqipëri, thotë ai, shpesh investitorë me kapital ndërtojnë komplekse moderne dhe pajisen me teknologjinë më të avancuar, por menaxhimin ua lënë punonjësve që nuk e ndiejnë fermën si pronën e tyre.
"Kjo mënyrë funksionimi nuk krijon përgjegjësi dhe nuk nxit inovacionin. Punonjësi vjen në fermë si në çdo vend tjetër pune, bën minimumin e nevojshëm dhe largohet. Ndërsa në fermat familjare çdo sukses apo dështim prek drejtpërdrejt familjen që jeton prej saj", shpjegon fermeri.
Ai beson se për të zhvilluar bujqësinë shqiptare nuk mjaftojnë vetëm subvencionet apo investimet milionëshe. Zgjidhja qëndron te edukimi profesional, përfshirja e brezit të ri, krijimi i fermave familjare të qëndrueshme dhe motivimi i njerëzve që punojnë në to.
Mesazhi që përcjell ky model është i qartë: kapitali është i rëndësishëm, por nuk mjafton. Bujqësia ndërtohet mbi dijen, pasionin dhe vazhdimësinë familjare. Vetëm kur këto elemente ecin së bashku, investimet kthehen në prodhim, fitim dhe zhvillim të qëndrueshëm rural./L.F-dritare.net