
Gjatë natës së 7 shtatorit, një nga ndërtesat kryesore të qeverisë në Kiev u dëmtua si pasojë e sulmeve ajrore ruse. Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, shkruan në Facebook se “për herë të parë, ndërtesa e Qeverisë, çatia dhe katet e sipërme janë dëmtuar nga një sulm i armikut. Shpëtimtarët po punojnë për fikjen e zjarrit.”
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se ndërtesa qeveritare ishte përfshirë nga flakët si pasojë e një “sulmi me dron”. Ai njofton se ndërtesa ndodhet në lagjen qendrore Pecherskyi dhe zjarrfikësit vazhdojnë të punojnë në vendngjarje.
Përveç ndërtesës qeveritare, raketat dhe dronët rusë goditën një depo, një pallat banimi 16-katësh dhe një ndërtesë katërkatëshe tjetër në kryeqytet. Si pasojë e sulmeve, të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur. Ndër viktimat është një foshnjë nën një vjeç, e cila u nxorr nga rrënojat, si dhe një grua e re.
Drejtori i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, apelon që banorët të qëndrojnë në strehëzat e sigurisë dhe paralajmëron se Rusia po “godet qëllimisht objektet civile”.
Sulmet vijnë ndërsa presidenti rus Vladimir Putin forcon paralajmërimet ndaj Perëndimit për të mos ndërhyrë në ndihmë të Ukrainës. Deri tani, Moska nuk ka komentuar drejtpërdrejt për sulmet, por Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njofton se forcat e saj ajrore kanë shkatërruar ose ndërhyrë ndaj 69 dronëve ukrainas në disa rajone të Rusisë.
Ky sulm konsiderohet një përshkallëzim i rëndë i agresionit ndaj Ukrainës, duke goditur për herë të parë simbolin kryesor të qeverisjes së vendit dhe duke shkaktuar viktima civile të pafajshme./K.C/dritare.net

















