Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bashkim Hoxha: “Shtëpia e Verdhë” dhe propaganda si armë lufte

Bashkim Hoxha: “Shtëpia e Verdhë” dhe propaganda si


I ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, Bashkim Hoxha foli për librin e tij Shtëpia e Verdhë, i cili u promovua një vit më parë. Ai ndau detaje mbi promovimin, origjinën e titullit dhe ndikimin e propagandës në ngjarjet që lidhen me romanin.
Romani u promovua së pari në Prishtinë dhe më pas nga Onufri në Tiranë. Për autorin dhe qytetin e Durrësit, promovimi ishte një ngjarje e veçantë: “Ishte një promovim që për mua dhe për qytetin e Durrësit ishte një ngjarje e veçantë. U kthye në një festë të madhe për qytetin dhe librin. Kishte edhe lexues nga Kosova, që ishin pushues atë vit në Durrës.”


Origjina e titullit dhe konteksti i propagandës

Sipas autorit, titulli Shtëpia e Verdhë lidhet me propagandën: “Shtëpia e Verdhë u krijua nga propaganda. Propaganda ka qenë një nga armët më të forta të luftës. Edhe pikërisht lufta e ka prodhuar fenomenin e Shtëpisë së Verdhë.”
Hoxha shpjegon: “Gjatë përgatitjes për romanin, hasa në një informacion të përmendur nga prokurorja Karla Del Ponte në kujtimet e saj. Gazetari që punonte me të sugjeroi një paragraf, i cili u vendos pas shqyrtimi të gjatë për besueshmërinë e burimeve. Autoritetet konfirmuan se informacioni ishte i fabrikuar nga shërbimet sekrete serbe, por u përhap edhe nga disa zëra shqiptarë. Rasti u diskutua në Këshillin e Evropës dhe Parlamenti Evropian konstatoi më pas se informacioni nuk ishte i besueshëm, duke vënë në pah rëndësinë e propagandës si armë lufte.”

Bashkim Hoxha: “Shtëpia e Verdhë” dhe propaganda si


Romani Shtëpia e Verdhe nuk merret vetëm me fakte, thotë Hoxha, ai ka një strukturë narrative dhe merret me fatin e njerëzve të thjeshtë, të cilët janë të përfshirë në jetën e përditshme të fshatit, larg politikës dhe interesave të mëdha që deformojnë realitetin. Hoxha shpjegon: “Karla Del Ponte nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri, por në roman ajo lidhet me jetën e banorëve të Shtëpisë së Verdhë, që është realisht në një fshat të Matit dhe e rëndon atë me një të pavërtetë. I bën ata kriminelë, por ata janë përpjekur të mbijetojnë në mënyrë të ndershme, një jetë me plot vështirësi.”

Strukturën e romanit Hoxha e ka ndërtuar edhe duke marrë parasysh një projekt filmik të producentëve amerikanë: “Unë improvizova një skenar që kundërshton pretendimet serbe, duke treguar një realitet krejtësisht tjetër. Ata përballen me dilemë: a duhet të ndjekin suksesin financiar të filmit apo të respektojnë të vërtetën historike? Ky është një nga mesazhet e romanit.”

Filmi mbi romanin dhe këndvështrimi i autorit

“Regjisori Emir Kusturica ka shprehur interes për të bërë një film mbi romanin, ndërsa një producent amerikan po mbledh fonde dhe po përgatit casting-un për një film të ndërtuar mbi një skenar serb, sipas një romani serb për të njëjtën ngjarje. Ky projekt është duke u përpunuar tashmë prej tre vitesh,” tha Hoxha. Ndaj, shtoi ai, vendosa të jap një këndvështrim të pavarur dhe realist në roman, duke trajtuar propagandën dhe “fake news” si armë lufte që përdoren nga ata që kanë humbur, duke shpresuar të shtojnë një kapitull shtesë kësaj lufte, pra njollosjen e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.
Hoxha komentoi edhe pritjen e lexuesve: “Ajo që më trishton është pritja e lexuesve në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, veçanërisht ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shpesh promovojnë librin pa reflektuar mbi mesazhin e tij. Kjo më trishton, por nuk më habit, sepse politika jonë dhe qeverisja shpesh nuk respektojnë letërsinë.”/dritare.net