Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot, ditëlindja e Sabri Gogos!

Sot, ditëlindja e Sabri Gogos!

Në Delvinë lindi Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan. Në vitin 1943 u hodh në forcat partizane dhe qëndroi në ushtri edhe pas luftës. Në vitin 1948 u përjashtua nga ushtria e më pas nga Partia e Punës së Shqipërisë (1950). Punoi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë derisa doli në krijimtari të lirë. Sabri Godo ka shkruar tregime, romane dhe biografi të letrarizuara.

Vëllimi me tregime "Zëra nga burime të nxehta" (1971) dhe romani "Prova e zjarrit" (1977) për luftën partizane, prireshin të portretizonin njerëzit e thjeshtë që bënë luftën, të përshkruanin pa emfaza përkushtimin atdhetar, sakrificën dhe vetëmohimin e tyre. Veprat kryesore të Sabri Godos janë: "Ali pashë Tepelena" (1970) dhe "Skënderbeu" (1975), që shquhen si për të dhënat historike mjaft të pasura, ashtu edhe për rikrijimin mjeshtëror të këtyre dy figurave të mëdha të historisë
së shqiptarëve.

Me këto vepra ai përuroi romanin biografik në letërsinë shqipe. Me vendosjen e
pluralizmit politik, në janar të vitit 1991, Sabri Godo ishte ndër themeluesit e Partisë Republikane të Shqipërisë dhe kryetari i parë i saj. Në vitet 1996-2001 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit. Ka dhënë ndihmesë në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë si bashkëkryetar i Komisionit përkatës (1998). U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2011.

Burimi: Ngjarje historike!