S’ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme!
Dritare.net
Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë.