
S'ka më rraqe të bizneseve anë rrugë, Rama: Keni afat deri më 31 korrik
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për pastrimin e segmenteve rrugore kombëtare nga mbetjet dhe materialet e ndryshme që janë grumbulluar prej bizneseve përgjatë anëve të rrugës.
Sipas paralajmërimit, bizneset kanë afat deri më 31 korrik për të hequr vetë çdo material që ndodhet brenda 20 metrave nga aksi i rrugës, distancë kjo e përcaktuar ligjërisht si zonë sigurie.
Ky rregull vlen edhe për oborret përpara objekteve, gardhet dhe materialet e vendosura jashtë objekteve të ndërtuara me leje, për të cilat do të dorëzohen projektet përkatëse nga ARRSH.
“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve, si materiale ndërtimore, inerte, makina të vjetra e të tjera, pas këtij afati do të ndëshkohet rëndë sipas ligjit,” paralajmëroi Rama.
Pastrimi, pjesë e përgatitjes për integrimin në BE
Kryeministri e konsideroi këtë veprim si pjesë të përgatitjeve për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria po troket në derën e BE-së, dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit, mjedisit dhe sigurisë rrugore duhet të mbyllet,” – shkruan Rama, duke kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim të gjerë kombëtar për Shqipërinë e vitit 2030 në BE./L.F-dritare.net

















