Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sipërmarrja familjare dhe sfidat e së ardhmes!

Sipërmarrja familjare dhe sfidat e së ardhmes!

Nga Alkest Shehu

Drejtimi i një biznesi në ditët e sotme është një sfidë qëkërkon sakrificë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Dinamika e tregut ndryshon dita-ditës, duke e bërë të domosdoshme për sipërmarrësit që të përshtaten vazhdimisht. Evolucioni teknologjik ka vendosur drejtuesit e kompanive para sfidash të reja, duke u kërkuar atyre një angazhim të jashtëzakonshëm.

Mes formave të ndryshme të biznesit, sipërmarrja familjare duket se ka treguar një sukses të qëndrueshëm. Një biznes familjar menaxhohet dhe zotërohet nga e njëjta familje për më shumë se një brez. Ky lloj biznesi karakterizohet nga një lidhje e fortë emocionale mes anëtarëve, e cila ndikon si në menaxhim, ashtu edhe në kulturën e kompanisë.

Një biznes familjar nuk është thjesht një punë, por një krenarie familjes, për të cilën anëtarët angazhohen me përkushtim për ta zhvilluar dhe ruajtur. Këto biznese mund të marrin forma të ndryshme, nga ato të vogla lokale e deri te korporatat shumëkombëshe. Ato janë të pranishme në sektorë të ndryshëm, si bujqësia, teknologjia, shërbimet financiare dhe tregtia me pakicë.

Një nga avantazhet kryesore të sipërmarrjes familjare është përshtatshmëria, falë aftësisë për të marrë vendime të shpejta dhe bashkëpunimit të lehtësuar nga lidhjet familjare. Por, kjo lidhje mund të krijojë edhe sfida, pasi dinamikat familjare shpesh ndikojnë në vendimmarrje dhe anasjelltas.

Sipërmarrja familjare dhe sfidat e së ardhmes!

Sipërmarrjet familjare më të vjetra në botë

Historia ka treguar se disa prej bizneseve më të qëndrueshme në botë janë pikërisht ato familjare. Disa shembuj të tillë janë:

Nishiyama Onsen Keiunkan: hotel në Hayakawa, Japoni, themeluar në vitin 705 pas Krishtit.
Fontaria e këmbanave Marinelli: Agnone, Itali, themeluarnë vitin 1040.
Fabrika e armëve Beretta: Gardone Val Trompia, Itali, themeluar në vitin 1526.
Këto janë vetëm disa nga bizneset familjare që kanë kaluar shekuj me radhë duke ruajtur traditën dhe njohuritë brez pas brezi. Sipas The Economist (2015), bizneset familjare përfaqësojnë mbi 90% të bizneseve në botë. Vetëm në Itali, ato përfaqësojnë midis 80-90% të kompanive të vendit, duke treguar një rol kyç në strukturën ekonomike.

Sipërmarrja familjare në Shqipëri

Në Shqipëri, sipërmarrjet familjare me traditë shumëbrezore mungojnë për shkak të sistemit komunist, i cili nuk krijoi kushte për zhvillimin e tregut të lirë. Pas viteve ‘90, filluan të shfaqen bizneset e para familjare, të cilat janë zhvilluar me ritme të mira, duke eksportuar madje edhe në tregje të zhvilluara.

Shqipëria ka potenciale të konsiderueshme për të rritur eksportet, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, blegtorisë, mekanikës dhe industrive artizanale. Ka gjithashtu produkte shqiptare të certifikuara që tashmë shiten në supermarketet më prestigjioze të Europës.

Trashëgimia e profesioneve dhe sipërmarrja familjare

Shqiptarët kanë ruajtur dhe trashëguar profesione të ndryshme, të cilat me kalimin e kohës janë shndërruar në sipërmarrje të suksesshme. Nga bletaria dhe bujqësia deri te mekanika dhe shërbimet e ndryshme, tradita vazhdon të jetë një nga pikat më të forta të zhvillimit ekonomik.

Një nga mënyrat më të mira për të siguruar rritjen dhe konsolidimin e bizneseve familjare është vazhdimi i profesionit brez pas brezi. Ruajtja e traditës dhe shfrytëzimi i njohurive të kaluara krijon një themel të fortë për një të ardhme më të qëndrueshme.

Ka ardhur koha që të gjithë të kthehemi te vlerat e sipërmarrjes familjare, duke e konsideruar atë një pasuri të patjetërsueshme për ekonominë dhe kulturën tonë./dritare.net