
Shqiptarët e Kosovës rikthehen masivisht për pushime në Shqipëri
Dritare.net
Muaji gusht ka rikthyer traditën e njohur të shqiptarëve nga Kosova, të cilët zgjedhin Shqipërinë si destinacionin kryesor për pushimet verore. Fluksi është ndjerë dukshëm në pikën kufitare të Morinës dhe përgjatë Rrugës së Kombit, ku thuajse çdo ditë qarkullimi është i dendur.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 22 ditët e para të këtij muaji, në Shqipëri kanë hyrë mbi 830 mijë shtetas nga Kosova me rreth 242 mijë automjete, ndërsa në drejtim të kundërt janë regjistruar mbi 770 mijë dalje. Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë rreth 20 mijë qytetarë, ndërsa këtë të shtunë mbi 4 mijë që në orët e para të mëngjesit.
Shumica e vizitorëve zgjedhin bregdetin shqiptar, kryesisht zonat më të afërta si Shëngjini, Velipoja dhe Durrësi, por një pjesë e mirë udhëton edhe drejt jugut, duke konfirmuar edhe një herë Shqipërinë si destinacionin më të preferuar të pushimeve për bashkëkombësit nga Kosova.
Autoritetet kufitare theksojnë se, pavarësisht fluksit, hyrja dhe dalja janë zhvilluar pa vonesa të mëdha, falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila lejon qarkullimin pa kontrolle për automjetet me targa shqiptare dhe kosovare.
Ndërkohë, vështirësi më të mëdha shkaktohen në pikat e pagesës në Rrugën e Kombit, ku radhet kilometrike shpesh vijojnë deri në Rubik, Milot dhe Lezhë, duke vështirësuar qarkullimin drejt zonave bregdetare.
Vetëm gjatë sezonit veror të vitit 2024, përmes pikës së Morinës kaluan mbi 5.5 milionë persona, shifër që e bën këtë korridor një nga arteriet më të rëndësishme të turizmit në vend./L.F-dritare.net

















