
Gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në media, art dhe mendim publik. Ja 10 fakte që shënjojnë jetën dhe karrierën e tij:
Lindi si fëmija i vetëm i dy figurave të mëdha të kulturës shqiptare – përkthyesit dhe gjuhëtarit Petro Zheji dhe aktores së madhe Besa Imami.
U diplomua për regji në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Pas studimeve, nisi punë si libretist në Teatrin Kombëtar, duke hyrë në botën e artit.
Më pas iu kushtua gazetarisë dhe analizës, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare pas viteve ’90.
U bë i njohur si drejtues i emisionit “360 Gradë”, një format politiko-shoqëror i cili u transmetua fillimisht në News24, më pas në Ora News dhe së fundi në ABC News.
Ka mbajtur postin e drejtorit të gazetës “MAPO”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në shtypin e shkruar.
Ka punuar për vite me radhë si gazetar në radion italiane Radicale, duke mbuluar rajonin e Ballkanit.
Në vitet e krizës së Kosovës (1999), si analist në televizionin “Arbëria”, ai analizoi për muaj të tërë zhvillimet që çuan në çlirimin e Kosovës, duke fituar një audiencë të madhe.
Nga viti 2002 deri në 2006 mbajti postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar (RTSH).
Për më shumë se tri dekada, Artur Zheji u shqua si gazetar, analist, publicist, por edhe si një zë kritik dhe i pavarur në debatin publik shqiptar.
Kujtimi i tij mbetet i lidhur ngushtë me fjalën e lirë dhe pasionin për të vërtetën./dritare.net

















