
Lamtumirë! Miq, kolegë e personalitete flasin për Artur Zhejin
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të gazetarit dhe analistit Artur Zheji. Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Rama shpreh ngushëllimin e tij me tone personale dhe përmalluese.
“Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin,” shkroi kreu i qeverisë.
Gazetari Artur Zheji ndërroi jetë këtë të premte në moshën 63-vjeçare. Ai mbërriti në urgjencë pa shenja jete, ndërsa dyshohet se shkaku ka qenë një arrest kardiak.
Ndarja nga jeta e Zhejit ka sjellë reagime të shumta nga personalitete të politikës, medias dhe artit, që e kanë cilësuar atë si një prej zërave më kritikë e të spikatur të publicistikës shqiptare.
Rudina Xhunga për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit: "U nda nga jeta Artur Zheji, koleg dhe mik. Shumë e parakohshme, shumë trishtuese kjo ikje që të la pa fjalë."
Blendi Fevziu e cilësoi një lajm fort të hidhur, duke e quajtur Zhejin “intelektual të spikatur, mendje kritike dhe gazetar kalibri që do t’i mungojë shumë publikut”.
Erion Veliaj u shpreh se Zheji ishte “gazetar profesionist, analist brilant dhe intelektual i angazhuar për mbrojtjen e pavarësisë së medias dhe shtetit të së drejtës”, duke e cilësuar ndarjen e tij si një humbje të pazëvendësueshme.
Ilir Meta e kujtoi si “personalitet të veçantë të gazetarisë, shkrimtar dhe dramaturg, pasardhës i një familjeje të shquar intelektualësh”, ndërsa e quajti një nga miqtë e tij më të afërt.
Spartak Ngjela tha se Zheji ishte “një nga emblemat e gazetarisë pas vitit 1990 dhe një nga mendjet më të ditura që ka njohur”, duke e cilësuar pasardhës të denjë të prindërve të tij, Petro Zheji dhe Besa Imami.
Roland Qafoku, i cili e pati të ftuar në emisionin “Dekalog” më 4 nëntor 2024, kujtoi se ajo ishte ndoshta “e vetmja intervistë jete që ai dha për një media”, duke e cilësuar një bisedë të paharrueshme plot rrëfime personale./L.F-dritare.net

















