
Gazetari denoncon se është kërcënuar nga biznesmeni i ndërtimit
Dritare.net
Drejtuesi i portalit Timoni.al, Almer Toska, ka denoncuar publikisht se është kërcënuar pas publikimit të një artikulli investigativ, ku zbardheshin aktivitetet e dyshuara kriminale të biznesmenit të ndërtimit, Lul Morina.
Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Toska shprehet se menjëherë pas publikimit të shkrimit është përballur me kërcënime të hapura dhe sharje ndaj familjes së tij, të cilat i konsideron si përpjekje për ta intimiduar dhe për të ndaluar hetimin gazetaresk.
“Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar. Ky veprim tregon qartë se ai nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime,” – shkruan Toska.
Gazetari e cilëson Morinën si shembull të ndërthurjes së krimit të organizuar me politikën dhe ekonominë, duke kujtuar të kaluarën e tij si trafikant në vitet ’90 dhe transformimin e sotëm në “biznesmen të suksesshëm”, që sipas tij ka arritur të sigurojë ndikim përmes blerjes së votave dhe përfitimit të lejeve të ndërtimit.
Në reagimin e tij, Toska bën thirrje që institucionet ligjzbatuese të veprojnë:
“Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën. Nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti.”
Ky denoncim ngre shqetësime të reja mbi sigurinë e gazetarëve në Shqipëri dhe presionin që ata përballen kur trajtojnë çështje të ndjeshme që lidhen me krimin dhe politikën./L.F-dritare.net

















