
Ideja që “fillon të plakesh pas të 50-ave” është thjesht një shprehje sepse plakja është një proces kompleks dhe gradual që nis më herët, zakonisht që nga të 30-tat. Megjithatë, studiuesit tregojnë se periudha 45-55 vjeç përfaqëson një moment kritik, kur efektet e plakjes bëhen më të dukshme dhe disa organe, si aorta, mund të luajnë një rol kyç në nisjen e dobësimit të trupit.
Një studim i fundit i publikuar në revistën Cell nga Akademia Kineze e Shkencave ka analizuar ndryshimet në disa proteina të lidhura me moshën. Rezultatet treguan se enët e gjakut janë ndër të parat që tregojnë shenja plakjeje, të ndjekura nga pankreasi dhe shpretka. Ndryshimet më të dukshme u vunë re pikërisht në moshën 45-55 vjeç, për shkak të rimodelimit të thellë të indeve.
Studiuesit, të udhëhequr nga Yingjie Ding, analizuan mostra organesh dhe indeve nga 76 persona të moshave 14-68 vjeç, të cilët kishin vdekur nga trauma aksidentale në tru. Kështu ata krijuan një katalog të proteinave të pranishme në organe të ndryshme dhe të nivelit të tyre në varësi të moshës.
Studime të mëparshme, si ajo e publikuar në gusht 2024 në Nature Ageing, kishin identifikuar “pikë kyçe” në procesin e plakjes, ku ndodhin ndryshime drastike biomolekulare: një pikë në 44 vjeç dhe tjetra në 60 vjeç.
Autorët e studimit shprehen:
"Qëllimi ynë është të krijojmë një atlas të plotë të proteinave që mbulon 50 vjet të procesit të plakjes, duke kuptuar mekanizmat që shkaktojnë çrregullime të proteinave në organe dhe inde të ndryshme. Këto njohuri mund të ndihmojnë në zhvillimin e ndërhyrjeve të synuara kundër plakjes dhe sëmundjeve të lidhura me të, duke përmirësuar shëndetin e të moshuarve."
Ky studim thekson rëndësinë e kujdesit për shëndetin, si dhe ndikimin e faktorëve gjenetikë dhe stilit të jetesës në ngadalësimin e plakjes, duke hapur rrugën për ndërhyrje preventive dhe trajtime të reja në të ardhmen./l.f-dritare.net

















