
Flakët në Vlorë nuk janë rastësi. Pas tyre qëndron një grup kriminal!
Dritare.net

Vatrat e zjarrit që shpërthyen mbrëmë në territorin e Vlorës dhe Selenicës nuk janë aksidentale. Ministria e Mbrojtjes dyshon se pas tyre fshihet një grup kriminal që po vendos zjarre me qëllim të organizuar.
Tre vatra zjarri mbrëmë në jug
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, zona e Vlorës dhe Selenicës u përfshi nga tre vatra të mëdha zjarri.
Një vatër e madhe u regjistrua në Dukat, ndërsa dy të tjera shpërthyen në fshatrat Drashovicë dhe Vajzë të bashkisë Selenicë.
Forcat operacionale ishin të angazhuara gjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit dhe strukturat ligjzbatuese po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Ministria e Mbrojtjes paralajmëron se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë, dhe autorët do të përballen me reagimin e plotë të shtetit dhe forcën e ligjit.
Çfarë tha Ministria e Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes njofton se vatrat e zjarrit që shpërthyen mbrëmë në Vlorë dhe Selenicë nuk janë rastësi, por rezultat i zhjarrvënies së qëllimshme nga një grup kriminal.
Sipas saj, flakët u hapën në mënyrë të organizuar në disa pika njëkohësisht, duke vështirësuar punën e forcave zjarrfikëse dhe duke rrezikuar banesat dhe pronat e qytetarëve.
Situata sot. Reshjet e shiut ndihmojnë shuarjen e flakëve në jug
Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë ndihmuar ndjeshëm në shuarjen e vatrave të zjarrit në Vlorë dhe Selenicë, duke përmirësuar situatën që mbrëmjen e kaluar ishte jashtë kontrollit.
Sipas raportimeve më të fundit, vatrat në fshatin Vajzë dhe Drashovicë të bashkisë Selenicë janë shuar plotësisht. Aktualisht, një vatër e vogël mbetet aktive në fshatin Mavrov, por autoritetet konfirmojnë se edhe ajo po shkon drejt shuarjes së plotë./ E.P-dritare.net

















