
Shkëlqimi dhe rënia e Athinës, historia e qytetit që humbi identitetin në beton!
Dritare.net
Nga BBC
Nga parajsa elegante neoklasike te përhapja e ngatërruar e betonit, si u shndërrua kryeqyteti grek në atë që duket sot? Vizitorët e huaj në Athinë shpesh habiten nga pamja e qytetit. Një metropol i shtrirë në blloqe apartamentesh të shëmtuara prej betoni, asgjë e ngjashme me pamjen klasike që zakonisht lidhet me Athinën antike, as shkëlqimin barok të qyteteve si Roma.
Atëherë, si arriti Athina të dukej kështu?
Së pari, Athina nuk ishte menduar kurrë të ishte kryeqyteti i Greqisë, pasi kishte pushuar së qeni qytet me rëndësi prej shekujsh. Në kohën e Luftës së Pavarësisë Greke në 1821-shin, qyteti ishte kthyer në një fshat të rrënuar me rreth 4,000 banorë. Si rrjedhojë, revolucionarët grekë kishin zgjedhur qytetin-port të Nafplio-s për të qenë kryeqyteti i shtetit të tyre të ri.
Por fuqitë perëndimore, të tilla si Franca dhe Britania e Madhe, të cilat kishin siguruar mbështetje financiare dhe ushtarake për Greqinë gjatë luftës, këmbëngulën që Athina të ishte kryeqyteti i saj. Të shtyra nga një idealizëm romantik i Greqisë antike, ato dërguan një ekip arkitektësh në Athinë me synimin për të ringjallur modelin e arkitekturës klasike greke.
Në dekadat që pasuan, Athina u “çlirua” në masë të madhe nga mbetjet e saj osmane, madje dhe ato bizantine. Rrugët gjarpëruese u zëvendësuan nga rrjeta ortogonale, ndërsa ndërtesat ekzistuese u shembën dhe u zëvendësuan me ndërtesa gjigante, neoklasike, që synonin të shprehnin vazhdimësinë e Athinës antike në formë arkitekturore, informon dritare.net.
Ishte një qytet i bukur me rrugë të gjera, sheshe madhështore dhe arkitekturë neoklasike, por çfarë ndodhi?
Perëndimi i kishte imponuar Athinës fantazinë e ndezur që lidhej me Greqinë e shekullit të 19-të. Sidoqoftë, grekët gradualisht u përshtatën me mënyrën e tyre. Shumë kohë pasi arkitektët e huaj ishin kthyer në shtëpi, ata vazhduan të ndërtonin vetë shtëpi neoklasike, shpesh duke shtuar elemente unike strukturore dhe stilistike. Rezultati ishte një stil unik neoklasik grek, dukshëm ndryshe nga çdo vend tjetër evropian.
Fotografitë nga fillimi i shekullit të 20-të përshkruajnë një qytet të bukur, me rrugë të gjera, sheshe madhështore dhe arkitekturë të jashtëzakonshme neoklasike, midis kodrave të Akropolit dhe Likabetut. Popullsia u rrit në 120,000 banorë dhe Athina kishte filluar të dukej si një kryeqytet evropian, informon dritare.net.
Por, çfarë ndodhi?
Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, Greqia u godit nga tri katastrofa të njëpasnjëshme. E para ishte shkëmbimi i popullsisë greko-turke(1922-1923). Më shumë se 1.5 milionë refugjatë grekë u larguan nga Turqia dhe u vendosën në Greqi. Afërsisht një e katërta u vendosën në Athinë, duke rritur popullsinë e qytetit nga 200,000 në më shumë se 500,000 në vetëm pak muaj. Më pas, Pushtimi i Boshtit të Greqisë (1941-1945) kur u shkatërrua pothuajse plotësisht industria, bujqësia dhe infrastruktura greke. Në fund Lufta Civile greke (1946-1949) e ndau vendin përgjatë vijave politike, shoqërore dhe ekonomike. Në kohën kur lufta kishte mbaruar, Greqia ishte në gjendje pothuajse të mjerueshme.
Në Athinë, refugjatët nga viti 1923 ende jetonin në streha të përkohshme, ndërsa klasa e mesme e qytetit e cila banonte në pallate neoklasike, mezi arrinte të ushqehej, duke mos patur asnjë mundësi për të riparuar shtëpitë e dëmtuara. Ndërkohë, grekët zbarkuan në Athinë, duke kërkuar t'i shpëtonin shkatërrimit dhe varfërisë në fshat. Gjatë vitit 1950, rreth 560,000 migrantë të brendshëm mbërritën në Athinë, duke e dyfishuar popullsinë.
Shteti, i cili kishte shpenzuar shumicën e fondeve të tij të ndihmës “Marshall” në përpjekje për t'i mbijetuar Luftës Civile, nuk kishte as mjetet dhe as paratë për të ndërtuar ndonjë shtëpi. Uria dhe dhuna ishin përhapur kudo. Situata ishte për të ardhur keq, ndaj duhej një zgjidhje e menjëhershme, informon dritare.net.
Zgjidhje radikale
Zgjidhja radikale nuk erdhi nga lart, por nga poshtë, nga një sistem unik i njohur si “antiparochi”. “Antiparochi”, i cili nuk ka përkthim të saktë në shqip, përafërsisht mund të përkufizohet si “shkëmbim i ndërsjellë “u bë tipari përcaktues i tablosë urbane të Athinës. E thënë më ndryshe,“antiparochi” është arsyeja pse Athina duket kështu siç e shohim sot.
Funksioni ishte kështu, një kontraktor do t'i afrohej pronarit të një shtëpie dhe do t'i ofronte atij një marrëveshje. Shtëpia e tij do të shembej dhe në vend të saj do të ndërtohej një bllok pallatesh. Pronarit të shtëpisë do t'i jepej një numër i caktuar hyrjesh (zakonisht dy ose tri), ndërsa kontraktori do të fitonte paratë e tij duke shitur hyrjet e mbetura, grekëve që kërkonin strehim. Në përgjithësi, asnjë para nuk është shkëmbyer dhe asnjë kontratë nuk është nënshkruar.
Mijëra grekë të papunë gjetën punë në ndërtim duke fituar para të mjaftueshme për të dërguar në familjet e tyre në periferi. Ndërkohë, shteti i përqendroi burimet e tij në ndërtimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë si infrastruktura, bujqësia dhe turizmi. Midis viteve 1950 dhe 1977, ekonomia greke u rrit me 7.7% çdo vit. Ndërtimi ishte një nga drejtuesit kryesorë të këtij “shpërthimi”. Sistemi gjithashtu arriti me shumë sukses të zvogëlonte polarizimin politik të Athinës, shkruan dritare.net.
Koha e gjallërimit
“Shpërthimi” i ndërtimeve bëri që të përfitonte një pjesë e madhe e shoqërisë, jo vetëm 1%, por 95%," thekson Ioanna Theocharopoulou, autore e “Builders, Housewives and the Construction of Modern Athens”."Ndërtimi veproi si një mjet, një mënyrë për ata që mbushën qytetin duke ardhur nga fshatrat jo vetëm për të krijuar strehim për veten e tyre, por edhe për të siguruar jetesën dhe madje brenda një brezi, kaluan nga një mënyrë agrare e jetës që ishte e ashpër, në një klasë të re urbane të mesme.”
Rreth 680,000 migrantë mbërritën në Athinë gjatë viteve 1960-të, me popullsinë e qytetit që arriti në 2 milionë nga mesi i viteve 1970-të. Në këtë pikë, Athina e stilit neoklasik ishte zhdukur pothuajse plotësisht. Në vend të saj, syri shihte blloqe të tëra betoni që kishin shëmtuar qytetin.
“Natyra dhe historia kryqëzohen në mënyrë befasuese”
Gjatë kësaj kohe qytetarët e Athinës filluan të ndiheshin fajtore për atë që kishin bërë. Shpejtësia e zhvillimit, mungesa e mbikëqyrjes administrative dhe mungesa e arkitektëve kishin kontribuar në shëmtinë e qytetit dhe humbjen e identitetit të tij. Nën ndikimin e “antiparochi-t” shumica e pallateve u ndërtuan me qëllim rritjen e fitimeve, pa mendua aspak për vlerën estetike. Nëse Athina duket sikur u krijua shpejt, pa asnjë planifikim qendror, në fakt është sepse ashtu ndodhi vërtet.
Si pasojë, shteti u përpoq të shlyente mungesën e tij nga politika e strehimit. Ligjet e ruajtjes u vendosën në ndërtesat neoklasike që mundën të “mbijetonin”, më së shumti në Plaka, lagje shumëngjyrëshe neoklasike nën Akropol, e cila kishte shmangur shkatërrimin kryesisht për shkak të afërsisë së saj me qendrat arkeologjike të vendit. Në vitin 2006, u vendos një taksë prone e cila e bëri antiparochi-n financiarisht të paqëndrueshëm për shumicën e individëve. Për herë të parë në historinë e saj moderne, popullsia e Athinës në të vërtetë filloi të bjerë. Në këtë mënyrë, ndërtimi në mënyrë efektive u ndal. “Antiparochi” kishte mbetur pas, të paktën për pak kohë.
Sfidat e Athinës moderne kanë ngatërruar arkitektët që kërkojnë të krijojnë një të ardhme për qytetin. Athina ka dendësi aq të lartë të popullsisë, është aq e konsumuar nga blloqet e pallateve, sa e bën krijimin e ndërtesave të reja një sfidë të vështirë. Në vend të kësaj, shumica e burimeve drejtohen drejt rinovimit të blloqeve të pallateve të cilat shpesh janë në gjendje të keqe, informon dritare.net.
Haris Biskos është pjesë e një brezi të ri arkitektësh që marrin përsipër sfidën e hartimit të së ardhmes së Athinës. Për të, nuk është arkitektura, por urbanizmi që motivon arkitektët e rinj sot dhe ai sheh një mundësi në kulturën antiparochi, e cila sipas tij në të shkuarën është keqpërdorur. “Si mund ta merrni idenë e antiparochi-t dhe ta shndërroni atë në një koncept modern që plotëson sfidat bashkëkohore të Athinës? A mund t'u jepni njerëzve një zonë të zbrazët dhe të merrni një hapësirë dinamike publike?”, pyet arkitekti i ri. Ai shpesh bën marrëveshje me autoritetet lokale dhe tregon se kryeqytetasit grekë janë shumë më të ndërgjegjshëm estetikisht se në të kaluarën. "Problemi ishte mungesa e rregullimit, jo antiparochi."- thotë ai. “Ideja e shkëmbimit është ajo për të cilën arkitektët duhet të punojnë. Nuk ka të bëjë me ndërtimin e gjërave, por me krijimin e sistemeve. Për mua kjo është e ardhmja e arkitekturës në Athinë."- përfundon Biskos.
Të ecësh nëpër Athinë sot është një ndjenjë e çuditshme. Pamja e Parthenonit, që ngrihet në mënyrë të jashtëzakonshme nga kaosi, është vërtet mbresëlënëse, pa marrë parasysh e sata herë është që e shihni atë. Kodrat përreth formojnë atë që në të vërtetë është një pyll urban brenda qendrës së qytetit, në të cilin natyra dhe historia kryqëzohen në mënyrë perfekte.
Në vitet e fundit, një seri e rëndësishme restaurimesh i kanë dhënë shumë karakter qendrës së qytetit. Modele të parqeve të reja janë propozuar dhe më e rëndësishmja është se po krijohet një plan ambicioz për të zbuluar lumin antik Ilisos, i cili u betonizua gjatë periudhës “antiparochi”. Ndërkohë, energjia pozitive e jetës në rrugët e qytetit vazhdon njësoj.
E megjithatë, ndërsa largoheni nga lartësitë e Akropolit dhe qëndroni mes strukturave prej betoni të Athinës, ndjenja që ju mbetet nuk është lehtësim për atë që u shpëtua, por trishtim për atë që humbi./M.M/dritare.net

















