
Një fitore e europianëve kundër Trumpit dhe Putinit
Dritare.net
Pas samitit të Ukrainës, progresi drejt një marrëveshjeje paqësore është i kufizuar. Por evropianët kanë arritur një qëllim: Me një front të bashkuar, ata po i kundërvihen Trumpit dhe Putinit.
Në Shtëpinë e Bardhë janë arritur disa përparime, ndonëse akoma nuk mund të flitet për arritjen e armëpushimit dhe paqes në Ukrainë. Tani Putini duhet të deklarohet nëse është për paqe apo vazhdimin e luftimeve dhe nëse është i gatshëm për bisedimet me Ukrainën. Kështu u shprehën shumica e pjesëmarrësve të takimeve me presidentin Donald Trump.
Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski, i cili ishte e shoqëruar edhe nga presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, si dhe krerët e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Finlandës.
Përshëndetjet e përzemërta
Takimet në Shtëpinë e Bardhë ishin shumë më miqësore sesa herën e kaluar, kur Trumpi pak a shumë largoi Zelenskin nga Shtëpia e Bardhë. Trump në fillim vlerësoi kostumin e thjeshtë të zi të Zelenskit e më pas filluan bisedimet më serioze dhe paraqitja konstruktive dhe shumë e kujdesshme para gazetarëve.
Merz: Asnjë bisedë për lëshimet territoriale
Atmosfera ishte e mirë por progresi në përmbajtje duket i kufizuar. Pjesëmarrësit diskutuan shumë çështje të ndryshme, kritike. Sipas vëzhguesve, Trump dhe Zelenskyy thuhet se kanë shqyrtuar edhe hartat, ndoshta për të diskutuar vijën e frontit. Megjithatë, sipas Kancelarit Merz, lëshimet territoriale nuk u diskutuan si temë e veçantë.
Lëshimet nuk duhet t'i imponohen në asnjë rrethanë Ukrainës, theksoi ai në një konferencë për shtyp më vonë. Territori i pretenduar nga Rusia është afërsisht sa madhësia e Floridës, krahasoi kreu i qeverisë gjermane, për të ilustruar gjendjen.
Garancitë e sigurisë janë thelbësore
Një temë qendrore ishin të ashtuquajturat garanci sigurie. Këto mund të jenë të ngjashme me klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s, që nënkupton ndërhyrjen e të gjitha shteteve anëtare në rast të ndonjë sulmi nga jashtë.
Garancitë janë thelbësore për Zelenskin dhe duhet të jenë të besueshme për të penguar Moskën nga sulme të mëtejshme pas një marrëveshjeje të mundshme.
Presidenti amerikan Trump tha se Amerika mund të jetë pjesëmarrëse në këto garanca, që ishte shumë me rëndësi. Por këtu nuk ka ndonjë përparim shumë konkret. Trump heksoi se evropianët janë në vijën e parë, por amerikanët do t'i mbështesnin ata.
Evropianët e shohin këtë si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Kancelari Merz e mirëpriti këtë.
Presidenti finlandez Stubb tha gjithashtu solli progresin më të madh në tre vjetët e fundit.
Armëpushimi
Ndërsa presidenti i Ukrainës - i mbështetur nga partnerët e tij evropianë - vazhdon të bëjë thirrje për armëpushim, Trump deri më tani i është përmbajtur. Ai thotë se marrëveshja mund të arrihet edhe pa armëpushim paraprak.
"Ne mund të punojmë për një marrëveshje ndërsa luftimet vazhdojnë", tha ai, që është në përputhje me qëndrimin e Kremlinit dhe është i papranueshëm për evropianët. Merz e tha hapur këtë edhe para takimit me dyer të mbyllura, që ishte momenti i vetëm kur Trump shkëmbeu mendime të kundërta me ndonjë nga pjesëmarrësit, por me tone të pranueshme për të dy palët.
Trumpi telefonoi me Putinin
Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Trumpi ndërpreu takimin në një moment dhe bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin në telefon.
Nuk dihet nëse kjo telefonatë ishte e paracaktuar apo ishte vërtet spontane. Megjithatë, Trump deshi të diskutojë edhe me Putinin përparimet e arritura me Zelenskin dhe evropianët.
"Në përfundim të takimit, e telefonova presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim midis presidentit Putin dhe presidentit Zelenski në një vend që do të përcaktohet më vonë", tha Trump.
Nëse ky mund të jetë hapi tjetër mbetet për t'u parë në ditët në vijim. "Kam konfirmuar - dhe të gjithë udhëheqësit evropianë më kanë mbështetur - se jemi gati për një takim dypalësh me Putinin", tha Zelenski, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Sidoqoftë, evropianët vazhdojnë të qëndrojnë fort pranë Zelenskit dhe duan që ai të përgatitet sa më mirë për një takim të mundshëm trepalësh. .
Merz, Macron dhe të tjerët duket se kanë arritur edhe një qëllim me rëndësi dhe për Ukrainën: Ata kundërshtuan imazhet e dyshimta të Trump dhe Putin në Alaska - me një paraqitje të përgatitur mirë dhe në dukje unike në Uashington./dw

















