
Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi!
Dritare.net
Është shkarkuar drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi sot ka marrë vendimin për të shkarkuar drejtoreshën Qendrës së Shërbimeve Arsimore Rezana Vrapi. Vrapi e drejtonte këtë drejtori që prej vitit 2014.
Disa ditë më parë dritare.net denoncoi rastin e tekstit të Historisë së klasës së katërt ku modeli i fshatit shqiptar ishte i ilustruar me modelin e Rolling Hills, një prej lagjeve më të pasura në vend. Rezidenca që është vendbanimi i vipave të politikës dhe biznesit në Shqipëri, vetëm fshat nuk është. Por tokë në periferi të Tiranës, e banuar nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë. Kjo e bën edhe më qesharake shpjegimin e fshatit përbri fotos.
Ministria e Arsimit reagoi dy javë pas skandalit në librin e Historisë së klasës së katërt, ku modeli i fshatit shqiptar është ilustruar me foton e një prej lagjeve më të pasura të Tiranës, ato Rolling Hills. Pasqyrim i papërshtatshëm, e ka cilësuar ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Në një njoftim për media, thuhet se ministrja ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale dhe tekstet shkollore do të rishikohen.
“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar. Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor", u shpreh ministrja Kushi./M.M-dritare.net

















