
Rrëfehet Xhelal Mziu: Ja prapaskenat e sulmit me tritol!
Dritare.net
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, foli për ngjarjen e rëndë të ndodhur dy javë më parë, kur një sasi tritoli shpërtheu në banesën e tij.
Ai ndau detaje rreth ngjarjes, frikës së përjetuar nga familja dhe, më e rëndësishmja, heshtjes thuajse absolute nga ana e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
"Ndodhi rreth orës një pa pesë të mëngjesit. Unë dhe familja ishim në shtëpi, në gjumë. Nuk ka vend për ta vënë në diskutim frikën që përjetohet," rrëfeu Mziu.
Shpërthimi shkaktoi dëme materiale, duke thyer xhamat e shtëpisë dhe makinave, por dëmi më i madh, sipas tij, është ai psikologjik dhe mesazhi që përcjell.
"Kur i vendoset tritol kujtdo është e frikshme, por kur i vendoset një ligjvënësi, një përfaqësuesi të votës së popullit, shteti duhet të reagojë dhe t'i shkojë deri në fund."
Ajo që e bën ngjarjen edhe më të rëndë, sipas Mziut, është indiferenca e plotë e qeverisë. "Pavarësisht se kanë kaluar dy seanca parlamentare, asnjë fjalë nuk u tha nga mazhoranca. Nuk më ka marrë në telefon as ish-ministri i Brendshëm, as ministrja aktuale, as drejtori i Policisë, dhe absolutisht as kryeministri Rama,"
I vetmi zyrtar i lartë që e kontaktoi ishte Presidenti i Republikës, ndërsa nga Partia Socialiste e morën në telefon vetëm dy kolegë deputetë.
I pyetur për pistat e hetimit, Mziu shprehu bindjen se prapa këtij akti fshihet një prapavijë politike. "Nuk kam asnjë lloj konflikti me askënd dhe nuk gjej asnjë arsye për këtë tritol, përveç pjesës politike.”
Sipas tij, qëllimi i një akti të tillë është shantazhi dhe minimizimi i influencës së tij politike në komunitet.
Fakti më alarmues, sipas deputetit, është se pas dy javësh, ai ende nuk është marrë në pyetje nga prokuroria apo ndonjë strukturë tjetër hetimore, përveç procesverbalit fillestar të mbajtur nga policia në natën e ngjarjes. "Ky është shteti që kemi. Më habit si nuk është kryer asnjë veprim hetimor nga prokuroria. Kjo është e pafalshme," përfundoi ai, duke lënë të hapur misterin mbi autorët dhe porositësit e këtij sulmi të rëndë./dritare.net

















