
Në një konferencë për shtyp, kryeministri Edi Rama komentoi raportin e fundit të SPAK për vitin 2025, duke theksuar se ndryshimet e mundshme ligjore nuk pengojnë punën e prokurorisë së posaçme dhe se secili organ duhet të vijojë detyrat e veta.
“Një raport nuk mund t’i tregojë parlamentit se çfarë të bëjë. SPAK të shohë punën e vet, ne tonën, dhe aq më mirë do të bëhet Shqipëria. SPAK ka gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran, nuk varet nga SPAK, ambasadat apo kushdo tjetër,” tha Rama.
Duke u pyetur për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, kryeministri theksoi se ato do të realizohen pa diskutim. “Ky ndryshim nuk ka të bëjë me raportin e SPAK-ut. Është një ndryshim që do të bëhet patjetër. Nuk ka shans të pezullohet një funksionar në mënyrë arbitrare, pezullimi lidhet me funksionin, jo me personin,” shtoi ai.
Rama u shpreh gjithashtu se procesi i reformës ligjore po zhvillohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ekspertët nga Franca dhe Italia. “Po rishikojmë Kodin e ri Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, gjithçka është nën kontroll dhe në respekt të standardeve europiane. Nuk ka asnjë tendencë për të kthyer mbrapsht reformat,” tha kryeministri.
Ky qëndrim i Ramës vjen pas shqetësimeve të ngritura nga SPAK për ndikimin e ndryshimeve ligjore në funksionimin e saj dhe për rolin e prokurorisë së posaçme në sistemin e drejtësisë shqiptare./L.F-dritare.net