Rama: Kush thotë se mbaroi ëndrra europiane, gabon
Dritare.net

Në një konferencë për shtyp, një ditë pas votimit të Kuvendit për të mos i hequr imunitetin Gerta Balluku, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë zërat për presion nga ndërkombëtarët. Ai deklaroi se diskutimet nuk zhvillohen në nivelet ku shpesh përshkruhen dhe se kushdo që pretendon se ëndrra europiane ka mbaruar, nuk dëshiron suksesin e saj.
“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon.
Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, tha Rama./L.F-dritare.net