Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama shpall masa të reja: konfiskim ndërtimesh, listë e zezë për shkelësit dhe kontroll me drone

Rama shpall masa të reja: konfiskim ndërtimesh, listë e zezë

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e sotme me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, prezantoi paketën e re të masave për kontrollin e territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike.

Ndër masat kryesore të qeverisë janë:

Arkitektët bëhen ligjërisht përgjegjës për çdo devijim nga projekti; në rast shkeljesh u hiqet licenca për 5 vjet.
Asnjë lidhje uji dhe dritash pa certifikatë përdorimi. Qytetarët nuk do të futen më në apartamente pa hipotekë.
Regjistrimi i detyrueshëm i hapësirave publike për të ndalur zaptimet dhe për të garantuar hapësira të gjelbra e shërbime komunitare.
Lista e zezë 5-vjeçare për shkelësit e lejeve të ndërtimit: përjashtohen zhvillues, kompani dhe individë (administratorë, ortakë, pronarë përfitues).
Monitorim i kantiereve me kamera dhe drone, për kontroll në kohë reale të çdo faze ndërtimi.
Fondi i gjelbër: çdo ndërtues detyrohet të mbjellë pemë sipas sipërfaqes së ndërtimit.
Muret rrethuese pa leje do të prishen; ato me leje duhet të jenë sipas modeleve tip që përcaktojnë bashkitë.
Punimet e papërfunduara mbi 5 vjet do të shemben, konfiskohen ose përfundojnë vetëm me garanci të reja nga ndërtuesi.
Konfiskim për çdo shkelje të lejes: deri në 10% konfiskohet vetëm shtesa; mbi 10% i gjithë objekti kalon shtetit për interes publik ose strehim social.
Ndryshimi i destinacionit të objekteve pa leje ndalohet rreptësisht; përveç gjobës, pronari detyrohet të rikthejë gjendjen e mëparshme.
Noterët dhe Kadastra përfshihen drejtpërdrejt në proces për të garantuar që çdo apartament i shitur të jetë i regjistruar dhe i ligjshëm.
Mosrespektimi i fasadave do të penalizohet deri në konfiskim total të godinës.
Policia e Shtetit do të ketë rol më të madh në zbatimin dhe mbrojtjen e territorit.
Ankimimet në gjykatë nuk do të pezullojnë më vendimet për ndërtimet pa leje apo devijimet.
Rama tha se këto masa synojnë t’i japin fund “sportit kombëtar të ndërtimit pa leje” dhe të mbrojnë qytetarët që shpesh mbeten viktima të abuzimeve nga ndërtuesit./L.F-dritare.net