Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Pagat në bregdet si në Greqi e Kroaci

Rama: Pagat në bregdet si në Greqi e Kroaci

Gjatë Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ku u analizuan rezultatet e reformës në këtë sektor, Edi Rama komentoi edhe çështjen e pagave gjatë sezonit turistik. Sipas tij, pagat në zonat bregdetare të Shqipërisë nuk janë më të ulëta se ato që ofrohen në Greqi dhe Kroaci. Kryeministri u ndal gjithashtu edhe te punësimi i punonjësve të huaj, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm për tregun e punës dhe sektorin e turizmit.

"Po të shohim bregdetin shqiptar sot, ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës vendas, të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë lloj zhvillimi. Sepse ai është një zhvillim i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin të kufizuara, kur dijet ishin të kufizuara dhe kur aftësia blerëse ishte e kufizuar.

Pavarësisht problematikave që ka pasur zhvillimi i ndërtimit në fushën e turizmit, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Kostoja e ndërtimit ka ardhur duke u rritur, por edhe çmimi duke u rritur. Sot, edhe unë këtë e them me përgjegjësi të plotë, sido që do të thotë të kundërtën, sot problemi kryesor i industrisë së turizmit nuk është ‘sa të paguaj’, pyetja është ku t’i gjej punonjësit përkatës që kanë edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet.

Nëse dikush më gjen një vend në bregdetin shqiptar, flas për investimet dhe hotelerinë, ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar që, sipas niveleve, paga të jetë më e ulët se në Greqi, se në Kroaci, nuk ka. Cili është problemi? Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë këtu si skllevër, ata nuk duan që të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi ose Kroaci. Ose nuk janë fare në atë fushë. Punojnë në Instagram dhe japin intervista se si jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj.

Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do të jenë të ardhurat për sistemin”, tha Rama./K.C/dritare.net