
Rama: Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit të padrejta, deformojnë vlerat e UÇK
Dritare.net

Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka nisur konferencën për shtyp nga Prishtina me një lajm të gëzueshëm. Rama thotë se tashmë ka hyrë në funksion rrjeti i përbashkët elektroenergjitik, mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Hyrjen përfundimisht në funksion të rrjetit të përbashkët elektroenergjitik dhe të investimit të madh për interkonjeksionin, midis dy vendeve falë edhe përfshirjes përfundimit të Kosovës në tregun e përbashkët energjitik. Është një lajm i gëzueshëm se e dimë mirë se sa kohë na është dashur të presim që kur vumë në lëvizje investimin e madh. Ishte një sistem llampash me çelës të mbyllur dhe nga sot faktikisht hynë plotësisht në funksion.”, tha Rama.
Kryeministri tregon se ndodhet në Prishtinë për t’i dhënë mbështetje Kosovës dhe përfaqësuesve politikë në një situatë kur Gjykata Speciale hodhi akuza për vrasje ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit. Ndërsa e quan aktakuzën një fletërrufe, Rama thotë se, akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit janë të renda dhe të padrejta dhe deformojnë vlerat e UÇK-së
“Dëshiroj të bëj të qartë faktin se jam këtu në funksion të një nevoje kombëtare për t’i dhënë një mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politik të saj, në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë. Pothuajse për dy dekada, në Kosovë procesi i vënies së drejtësisë për krimet e luftës është konceptuar, është mbështetur dhe është zhvilluar si një proces i pandashëm nga procesi i shtet-ndërtimit, i pajtimit ndëretnik, i integrimit dhe i dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë formë është formuluar edhe në strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor nga BE-ja. Ndërkaq, është e kuptueshme se procesi i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit me të kaluarën me drejtësinë, por është edhe një çështje e ndërtimit të së ardhmes me politikën. Komunikata, e ashtuquajtur nga unë, një fletërrufe, është e pashembullt. Aktakuzat janë të padrejta dhe deformojnë vlerat e UÇK-”, tha Rama./K.C/dritare.net

















