Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse po ulet numri i lopëve të qumështit në vendin tonë!

Pse po ulet numri i lopëve të qumështit në vendin tonë!

Nga Arben Tufa

Po e nis këtë vëzhgim duke ju referuar pyetjes: “Pse blegtorët që merren me prodhimin e qumështit po ulin ndjeshëm numrin e lopëve të qumështit dhe për pasojë sasinë e qumështit? Cilat janë shkaqet e kësaj situate dhe si mund të ndikojmë në përmirësimin e kësaj gjendjeje?

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes po paraqes disa të dhëna statistikore që të na shërbejnë për të analizuar gjendjen dhe për të sugjeruar mundësi për përmirësim. Vëzhgimin po e realizoj duke u mbështetur në disa parametra statistikore të lopëve të qumështit përgjatë 100 viteve të fundit në North America (Kanada dhe SHBA). Të dhënat janë përmbledhur si më poshtë:


1-Numri i njerëzve që ushqehen nga një fermer sot është rreth 164 persona, ndërsa 100 vite më parë ka qenë 10 persona.
2-Sasia e qumështit për një lopë prodhuese sot është mbi 8000 litra për laktacion, ndërsa 100 vite më parë ka qenë 1600 litra/laktacion. (Laktacioni quhet koha që lopët prodhojnë qumësht dhe kjo është 300 ditë.)
3-Sot për çdo lopë duhen 4046 m² sipërfaqe toke bujqësore, ndërsa 100 vite më parë ka qenë rreth 12000–18000 m².
4-Aktualisht numri i lopëve të qumështit është zvogëluar rreth 3 herë i krahasuar me 100 vite më parë (nga 3.22 milion krerë në 0.96 milion krerë).
5-Një fermë blegtorale sot ka nga 75 deri në 175 lopë qumështi (duke i klasifikuar si ferma të vogla deri të mesme).
6-Sasia vjetore e qumështit për frymë që konsumohet sot është 58 litra/vit. Kjo sasi është rreth 10% më e ulët se më parë dhe shkaku është ndryshimi i strukturës së ushqimit të popullsisë. Kjo ka bërë që kërkesa për qumësht të ulet dhe për rrjedhojë të ulet dhe numri i lopëve të qumështit.
7-Aktualisht në Kanada është zgjidhur problemi i të ushqyerit të popullsisë. Sot shteti i garanton ushqimin bazë falas çdo shtetasi që, për arsye nga më të ndryshmet, nuk është i zënë me punë. Kjo do të thotë se në Kanada askush nuk vuan më për mungesë ushqimi. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se problemi i të ushqyerit të popullsisë është zgjidhur përfundimisht.


Duke parë statistikat e mësipërme, vërejmë si ka ndikuar blegtoria përgjatë më se 100 viteve të fundit për të zgjidhur problemin e ushqimit të popullsisë.

Befasohesh nga ulja e konsumit të qumështit për frymë dhe kjo ndodh për shkak të ndryshimit të strukturës së racionit ushqimor të njerëzve. Kjo do të thotë se sot në Kanada konsumohet më pak qumësht, më pak mish i kuq, më pak bukë dhe më shumë ushqime të tjera si fruta dhe perime. E njëjta dukuri vihet re si në SHBA, ashtu edhe në vendet e BE-së.

Besoj se mbi bazën e të dhënave të mësipërme, ne mund të analizojmë dukurinë që po ndodh sot në vendin tonë që është ulja e numrit të lopëve të qumështit.

Unë mendoj se duhet filluar dhe analizuar çfarë ndodh me prodhimin e qumështit sot në vendet anëtare të BE-së dhe në vendet përreth nesh.

A është zgjidhur problemi i të ushqyerit të popullsisë në vendet e BE-së dhe përreth nesh?

Unë mendoj se “PO”, vendet e BE-së e kanë zgjidhur këtë problem njëlloj si në Kanada dhe SHBA (nuk kam të dhëna për vendet përreth). Nëse themi “PO” për Kanadanë dhe SHBA-në, na lejohet të mendojmë se edhe në vendet e BE-së do të shikojmë të njëjtin fenomen që pamë në Kanada dhe SHBA, pra uljen e prodhimit të qumështit që shoqërohet me uljen e numrit të lopëve të qumështit.

Po e njëjta pyetje bëhet për vendin tonë: A është zgjidhur problemi i ushqimit të popullsisë në vendin tonë?

Unë mendoj se është bërë një përparim shumë i madh në këtë drejtim, por akoma nuk mund të themi se “PO”, e kemi zgjidhur problemin e ushqimit të popullit.

Duke e konsideruar këtë pohim si të vërtetë, menjëherë duhet të pohojmë se Shqipëria ka akoma kërkesë për shtesë prodhimesh ushqimore, ku qumështi është pjesë e rëndësishme e saj. Pra, si rrjedhojë, sot tregu shqiptar vazhdon të pranojë shtimin e numrit të lopëve të qumështit, që do të thotë rritje e prodhimit të qumështit, që do të thotë një hap tjetër përpara për të zgjidhur problemin e ushqimit të popullsisë.

Atëherë, nëse nuk ndodh rritja e numrit të lopëve të qumështit, çfarë ka ndodhur?

Që numri i lopëve të qumështit të ulet kur kërkesat e tregut janë në rritje, tregon se një pjesë e fermerëve shqiptarë që heqin dorë nga puna e tyre, kanë disa probleme serioze që unë po përpiqem t’i rreshtoj më poshtë. Fermerët tanë heqin dorë nga prodhimi kur:


-Nuk arrijnë cilësinë e produktit që kërkon tregu
-Nuk janë në gjendje të shesin qumështin e prodhuar
-Nuk arrijnë të sigurojnë bazën ushqimore për numrin e lopëve që kanë
-Kanë prodhim të ulët për shkak të racës së lopëve prodhuese, kushteve higjeno-sanitare në stalla, shërbimit veterinar, etj.
-Nuk janë konkurrues në çmimin e shitjes së produktit, etj.
-Dobësi të theksuara në infrastrukturën e rrugëve, etj.


Disa nga shkaqet që e detyrojnë fermerin të heqë dorë nga prodhimi që rreshtova më sipër më shtyjnë të bëj një pyetje tjetër:

Problemet e mësipërme që e detyrojnë fermerin të falimentojë janë vetëm problemet e tij si fermer? Pra, fajtori është vetë fermeri?Përgjigjja është “JO”. Unë mendoj se kjo dukuri është e lidhur më pak me punën e fermerëve dhe më shumë me politikën bujqësore që bën Qeveria.

Unë besoj se puna e mirë ose jo e Qeverisë ndikon drejtpërdrejt në vendimet që merr fermeri për mbarëvajtjen ose jo të biznesit të tij.


Po përpiqem ta shpjegoj atë që thashë. Unë mendoj se Qeveria (Ministria e Bujqësisë dhe agjencitë e saj, Universiteti Bujqësor, etj.) duhet në mënyrë permanente të studiojnë dhe analizojnë kërkesat e tregut duke propozuar rrugë për rritjen ose mbrojtjen e produktit vendas. Kjo është detyrë e përhershme e Qeverisë dhe bëhet akoma më e rëndësishme, sidomos sot, kur kemi evidencë që në vendet e BE-së kërkesa e tregut për qumësht është e ulët, ndërsa në vendin tonë kërkesa vazhdon të jetë e lartë.

Në rastin kur Qeveria (Ministria e Bujqësisë dhe agjencitë e saj, Universiteti Bujqësor, etj.) nuk e bëjnë punën e tyre, atëherë është krejtësisht e arsyeshme që produkti “i huaj” do të shfaqet në tregun tonë me tendencë uzurpimin e tregut dhe falimentimin e blegtorëve vendas.

Për ta ilustruar këtë mendim po paraqes tabelat e mëposhtme

Tabela 1

Pse po ulet numri i lopëve të qumështit në vendin tonë!

Tabela 2

Pse po ulet numri i lopëve të qumështit në vendin tonë!


Në Tabelën 1 shikohet se si Qeveria (në Kanada), nëpërmjet institucioneve dhe agjencive të saj, në mënyrë permanente ndjek dhe analizon ecurinë e prodhimit dhe konsumit të qumështit të gjedhit mbi bazën e kërkesave të tregut, me të vetmin qëllim: Mbrojtjen e prodhimit vendas. Mbi bazë të vëzhgimeve dhe studimeve të kryera nga agjencitë dhe institucionet qeveritare, shteti merr vendime dhe miraton ligje në interes të prodhuesit vendas. (Këtu futen politikat doganore, tarifat, etj.)

Duke e parë kështu, shtrohet pyetja: Çfarë ka bërë Qeveria dhe agjencitë e saj në vendin tonë? Çfarë kanë bërë ato për mbrojtjen e prodhimit vendas? Nëse Qeveria prodhimin vendas nuk mund ta mbrojë për shumë arsye objektive (duke dhënë arsyet pse nuk e mbrojnë dot), atëherë çfarë alternativash kanë dhënë ose duhet të japin për të mos falimentuar prodhimin vendas?

Në Tabelën 2 shikohet qartë se si e ndjek Qeveria kanadeze edhe mundësinë për alternativa të tjera prodhimi, duke sugjeruar ndryshimin e profilit të biznesit. (Në grafik shikohet se sa interes ka rritja e shpendëve dhe rritja e derrit, e krahasuar me prodhimin e qumështit.)

A e ka bërë Qeveria Shqiptare dhe agjencitë e saj këtë punë?

Unë nuk di ta them, por mendoj se “JO”, ata nuk e kanë bërë një punë të tillë, ose e kanë bërë shumë pak dhe pa përgjegjësi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duhet që të shkunden dhe të largohen të gjithë ata zyrtarë, profesorë ose aparatçikë që kanë zënë vende pune dhe abuzojnë me statusin e punonjësit civil. (Për çështjen e zyrtarëve, profesorëve ose aparatçikëve nuk do bëj koment, se është një çështje që mund të trajtohet më vete.)

Si përfundim i këtij vëzhgimi modest, mund të them se sot roli i Qeverisë është përcaktues për mbrojtjen e fermerëve që merren me prodhimin e qumështit.

Shteti duhet të rishikojë politikat doganore dhe tarifat për çdo produkt bujqësor që mund të sjellë falimentimin e produktit vendas./K.C/dritare.net