
Politico: Giorgia Meloni njeriu më i fuqishëm në Evropë!
Dritare.net
“Kë duhet të telefononi nëse doni të flisni me Evropën? Nëse je Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe këshilltari kryesor i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, numri që duhet të telefonosh është Giorgia Meloni”.
Gazeta ndërkombëtare Politico e kurorëzoi kryeministren italiane si personin më të fuqishëm në Evropë për vitin 2025.
“Në më pak se një dekadë, liderja e krahut të djathtë të Vëllezërit të Italisë ka bërë një kapërcim galopant, nga një ultranacionaliste, në kryeministre, një figurë me të cilën Brukseli dhe tani edhe Uashingtoni, duhet ta kenë bashkëpunëtoren kryesore.
Ky është shkrimi i gazetës, me një përshkrim të gjatë që vë në pah rritjen e ndikimit të Melonit dhe fazat kryesore të dy viteve të qeverisjes së saj, që cilësohet si një nga qeveritë më të qëndrueshmet në Italinë e pasluftës.
Që kur mbërriti në Palazzo Chigi, vëren Politico, Meloni "e ka mbajtur në minimum retorikën e saj anti-BE dhe ka shmangur përplasjet me Brukselin", duke i habitur gjithashtu kritikuesit e saj dhe "duke u shfaqur si një nga mbështetëset më të bindur të Ukrainës".
Duke përfituar nga vakuumi i pushtetit në Paris dhe Berlin, situata është në favor të Melonit, për të ndjekur politikat e saj. Rizgjedhja e Trump, sipas mendimit të gazetës në pronësi të grupit botues Axel Springer, mund t'i japë një shtysë edhe më të madhe.
Duhet theksuar gjithashtu edhe mbështetja e Elon Musk, i cili e vlerëson atë si kampione të luftës kundër emigracionit të paligjshëm.
Nëse deri më tani Meloni e ka përdorur ndikimin e saj kryesisht në Itali, pyetja - thekson në fund Politico - është nëse ajo tani do të fillojë të ketë edhe një ndikim ndërkombëtar. Me një erë të re që fryn përtej Atlantikut, ajo do të vazhdojë të luajë mirë me institucione të tilla si BE dhe NATO./L.F-dritare.net

















