Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Po ndërtonte pa leje një impiant gazi në tokë publike, shpallet në kërkim biznesmeni Sokol Meqemeja

Po ndërtonte pa leje një impiant gazi në tokë publike,

Biznesmeni i njohur Sokol Meqemeja është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar pa leje një impiant gazi (TEC) në tokë shtetërore, në zonën e Delvinës. Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe Inspektoriatin e Mjedisit.

Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara nga burime konfidenciale, të cilat sinjalizuan për ndërtimin e një impianti gazi pa leje në një pronë publike. Gjatë kontrollit, autoritetet konstatuan se kompania “Delvina Gas” – degë e një kompanie të regjistruar në Ishujt Virxhin (Virgin Islands) – kishte nisur ndërtimin pa asnjë dokumentacion ligjor.

Të arrestuar dhe në kërkim:

Policia njoftoi se u arrestuan në flagrancë:

Elton Malkaj, 31 vjeç – përgjegjës i impiantit të gazit
Luan Metaj, 53 vjeç – përgjegjës i kantierit të ndërtimit
Të dy akuzohen për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtim i tokës” me qëllim përfitimi.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim:

Sokol Meqemeja, 56 vjeç – pronar i kompanisë
Juglerd Ibrahimi, 36 vjeç – administrator i kompanisë
Ndaj tyre rëndojnë të njëjtat akuza penale.

IKMT ka ndërhyrë duke bllokuar punimet, ndërsa është mbajtur edhe procesverbali i konstatimit të kundërvajtjes.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Sarandës për hetime të mëtejshme.

Emri i Meqemejas shfaqet edhe në dosjen e SPAK për inceneratorin e Fierit
Biznesmeni Sokol Meqemeja nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton i përmendur edhe në dosjen e SPAK ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ku dyshohet se përmes shitjeve fiktive i ka dhënë këtij të fundit 140 mijë euro, si shpërblim për kontratat e inceneratorit të Fierit.

Autoritetet pritet të hetojnë më tej lidhjet financiare dhe rrjetin e interesave që përfshin biznesin e ndërtimit të paligjshëm të impiantit të gazit, si dhe origjinën e investimeve të kompanisë “Delvina Gas”./L.F-dritare.net