Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pesë gazetarë të Al Jazeera-s vriten në Gaza

Pesë gazetarë të Al Jazeera-s vriten në Gaza

Pesë gazetarë të rrjetit Al Jazeera, mes tyre reporteri i njohur Anas al-Sharif, janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës, ka njoftuar televizioni.

Al-Sharif, bashkë me korrespondentin Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal e Moamen Aliwa, ndodheshin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u goditën nga raketat.

Al Jazeera e ka cilësuar ngjarjen si “një tjetër sulm të qëllimshëm ndaj lirisë së shtypit”. Ushtria izraelite konfirmoi se ka shënjestruar al-Sharif, duke pretenduar se ai ishte “udhëheqës i një celule terroriste të Hamasit” dhe se kishte organizuar sulme me raketa ndaj civilëve dhe trupave izraelite. Megjithatë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) tha se Izraeli nuk ka ofruar prova për të mbështetur këto akuza.

Menaxheri i redaksisë së Al Jazeera-s, Mohamed Moawad, e përshkroi al-Sharif si “zëri i vetëm” për të treguar botës situatën në Gaza, duke theksuar se ai ishte gazetar i akredituar dhe nuk po raportonte nga fronti i luftimeve.

Izraeli ka ndaluar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza që nga fillimi i luftës, duke e bërë median lokale burimin kryesor të informacionit nga territori.

Sipas Al Jazeera-s, në total u vranë shtatë persona në sulm. Organizatat ndërkombëtare dhe OKB kishin paralajmëruar muajin e kaluar se jeta e al-Sharif ishte në rrezik, duke bërë thirrje për mbrojtjen e tij./K.C/dritare.net