
The Economist: SPAK po rrëzon të mëdhenjtë. Lufta e pavarur kundër korrupsionit në Shqipëri
Dritare.net

Nga The Economist
Në Tiranën e viteve 1930, siç shkruan akademikja shqiptare Lea Ypi në një libër që pritet të botohet, shakaxhinjtë debatonin nëse korrupsioni ishte “shkaku i mjerimit shqiptar apo më tepër pasojë e tij më natyrale”. Të njëjtin debat mund ta dëgjosh edhe sot në kryeqytet. Por një gjë ka ndryshuar: për herë të parë në një shekull shtetësi, një njësi e pavarur kundër korrupsionit po arreston politikanë, zyrtarë dhe trafikantë droge, duket se pa frikë apo favor.
SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) nisi punën në vitin 2019. Sipas sondazheve, 76% e shqiptarëve i besojnë, duke e bërë institucionin më të popullor në vend. Gjithnjë e më shumë nga elita e vendit, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, po bien në rrjetën e tij. Kryeministri Edi Rama nuk është më aq entuziast sa dikur, kur goditjet e SPAK-ut prekën kryesisht kundërshtarët e tij politikë.
Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpie Sali Berishën, ish-president dhe lider i opozitës kryesore, i cili gjendet tani në gjyq për korrupsion. Vitin e kaluar u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president e tani udhëheqës opozitar, gjithashtu i akuzuar për korrupsion. Ish-ministra të qeverive të Ramës kanë përfunduar në pranga dhe, në shkurt, erdhi radha e Erion Veliajt, kryebashkiak i Tiranës dhe një nga figurat e shikuara si pasues të mundshëm të Ramës. Të tre e mohojnë fajësinë, përcjell dritare.net
Si forcë në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK ka pasur suksese të mëdha duke bashkëpunuar me policitë e huaja. Zakonisht, një bos shqiptar i drogës vepron nga Dubai, blerësit e tij në Ekuador dërgojnë mallin në Evropë, ku njerëzit e tij kujdesen për shpërndarjen. Fitimet më pas i investon në ndërtim në Shqipëri, ndërsa vartësit blejnë apartamente. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri nga persona që dyshohet se pastronin para të drogës nga Zvicra dhe akuzoi një tjetër grup për tentativë kontrabande armësh drejt Britanisë.
Arrestimet e politikanëve janë më të debatueshme. Berisha pretendon se Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un “kamxhiku i tij”. Por numri gjithnjë në rritje i të afërmve të Ramës të akuzuar për korrupsion ka zbehur imazhin e tij. Kur u arrestua Veliaj, ishte radha e Ramës të akuzonte SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut – gjë që i solli kritika nga Bashkimi Evropian; një diplomat i një vendi të BE-së i quajti pretendimet e tij “marrëzi”. Rama i tërhoqi shpejt këto akuza.
Rama ka premtuar që Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. Një bilanc i fortë në luftën kundër korrupsionit është kriter vendimtar, dhe disa vende anëtare e vlerësojnë lart bashkëpunimin e SPAK-ut në luftën kundër bandave të drogës. Sado që Rama mund të ketë dashur të mbrojë Veliajn, e kuptoi se sulmi ndaj SPAK-ut do të ishte politikisht i dëmshëm. Një burim në gjyqësor thotë me ironi se, nëse klasa politike shqiptare do të ishte e kënaqur me punën e SPAK-ut, “do të kishim problem”.
Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Si kryebashkiak që prej vitit 2015, ai ka ndihmuar në transformimin e Tiranës nga një qytet i rrënuar në një kryeqytet tërheqës. Por SPAK thotë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë pastruar para nga zhvillues ndërtimi përmes një skeme që përfshinte donacione për OJF. Gjashtë muaj pas arrestimit, Veliaj vazhdon të mbahet në burg dhe u akuzua zyrtarisht vetëm më 23 korrik. Ky është një fenomen i zakonshëm në Shqipëri, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim, një përqindje shumë më e lartë se mesatarja europiane. Së bashku me Veliajn është akuzuar edhe një deputet socialist për pengim të drejtësisë, ndërsa më 15 korrik SPAK akuzoi një ish-deputet tjetër socialist për ndarjen e informacionit policor me një bos krimi në këmbim të ndihmës gjatë zgjedhjeve. Veliaj, bashkëshortja dhe të dy deputetët mohojnë akuzat.
Arbi Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, thotë se SPAK ka “dalë jashtë kontrollit” dhe po e mban në burg për arsye të sajuara. Arrestimi i tij ka ndarë opinionin në Tiranë. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin, policinë sekrete të kohës së komunizmit. Të tjerë gëzohen për rrëzimin e të fuqishmëve, të cilët i akuzojnë se kanë vjedhur prej kohësh nga qytetarët e zakonshëm. Burimi gjyqësor thekson se qëllimi i krijimit të SPAK-ut ishte t’i jepte fund “kulturës së pandëshkueshmërisë” në vend. Në Shqipëri, kjo do të ishte historia e shekullit./K.C/dritare.net

















