Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Qeveria heq moratoriumin e gjuetisë. Rikthehet me rregulla të reja dhe zona të kufizuara

Qeveria heq moratoriumin e gjuetisë. Rikthehet me rregulla të reja dhe

Pas gati një dekade ndalese, qeveria ka vendosur të mos rinovojë moratoriumin e gjuetisë. Një projektligj i ri është depozituar në Kuvend dhe parashikon hapjen e mundësive për gjueti, por vetëm në zona të caktuara, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave dhe të menaxhuara me qira.

Si ka qenë deri tani, moratoriumi i gjuetisë
• Moratoriumi u vendos në vitin 2014 dhe u zgjat disa herë, duke ndaluar gjuetinë në të gjithë territorin e Shqipërisë, me përjashtime të rralla për arsye shkencore apo kontroll të mbipopullimit të faunës.
• Qëllimi ishte mbrojtja e faunës së egër, e cila ishte rrezikuar nga gjuetia e pakontrolluar dhe shkatërrimi i habitateve.
• Gjatë kësaj periudhe, gjuetarët nuk mund të ushtronin aktivitetin e tyre, dhe shkelësit përballeshin me gjoba të larta dhe ndjekje penale.
• Kritikat ndaj moratoriumit erdhën nga disa komunitete rurale dhe shoqata gjuetarësh, të cilët argumentonin se ndalimi i plotë krijoi mbipopullim të disa specieve dhe dëme në bujqësi, si dhe gjueti të paligjshme jashtë çdo kontrolli.

Çfarë sjell projektligji i ri
• Lejohet gjuetia vetëm në zona të miratuara zyrtarisht, të cilat mund të jenë në fondet pyjore, kullosore, toka bujqësore, ujëra të brendshme, apo toka të pafrytshme ku ka faunë të egër.
• Kufizime hapësinore: Zona duhet të ketë një sipërfaqe minimale (500 ha fushore, 1 000 ha malore, 50 ha për rezervate mbarështrimore) dhe të jetë të paktën 300 m larg zonave të banuara, shkollave, objekteve fetare e sportive, dhe 200 m nga zonat e mbrojtura.
• Menaxhimi me qira: Zonat e gjuetisë do t’u jepen me qira përmes konkurrimit publik personave fizikë ose juridikë, me qira sa 50% e vlerës së tregut të gjuetisë vjetore.
• Licencimi i gjuetarëve:
• Duhet të jenë mbi 25 vjeç, shtetas shqiptarë, pa rekorde penale.
• Të kenë leje për armë gjahu dhe të kenë përfunduar një kurs trajnimi për gjuetinë.
• Leja e re e gjuetarit do të jetë 5-vjeçare.
• Kontrolle dhe gjoba: Shkeljet do të ndëshkohen me gjoba nga 300 mijë deri në 1.3 milionë lekë.
• Mbrojtja e faunës: Speciet e mbrojtura sipas konventave ndërkombëtare nuk do të lejohen për gjueti, përveç rasteve të veçanta të miratuara nga autoritetet.

Qëllimi i ndryshimeve

Sipas qeverisë, ky model i ri do të balancojë nevojën për mbrojtjen e biodiversitetit me mundësinë për zhvillimin e turizmit të gjuetisë dhe kontrollin e popullatave të faunës. Përmes licencimit, zonave të kufizuara dhe kontrollit të rreptë, synohet të shmanget kaosi që solli gjuetia e pakufizuar para vitit 2014, por edhe të mos përsëritet ndalimi total i moratoriumit./K.C/dritare.net