
Në turizëm, pasuri s’janë tullat dhe pishinat, por turisti që rikthehet për herë të dytë
Dritare.net
Nga Kreshnik Spahiu
Dje takova në Tiranë djalin e Janaqit, Raqin.
Ishte një ditë përvëluese dhe termometri shënonte 38 gradë. Po furnizohesha me karburant te “Ekspozita Shqipëria Sot”, kur befas më doli përpara Raqi – 120 kilogramë i shëndoshë, dhe kokrrat e djersës i rrëshqisnin si ujvarë nëpër pjerrësinë e tuleve, duke lagur bluzën prej najloni të stampuar me gërma të mëdha “Emporio ARMANI”.
U ul në gjunjë, më puthi duart dhe m’u lut:
– Vëllaçko, më jep 20.000 lekë të vjetra, se kam mbetur pa naftë.
M’u errësuan sytë. Befas m’u kujtua ajo natë kur fjeta në hotelin me 5 yje të Janaqit, në jug të Shqipërisë.
- M’u kujtua Janaqi, një vit më parë, kur kosovarëve ua rriste çmimin e dhomave dyfish në krahasim me italianët, sepse, siç thoshte ai, “këta marrin bukë me vete.”
- M’u kujtua Janaqi që shante malokët, sepse “nuk dinin not”.
- Mu kujtua që tallej me italianët sepse thonte: “këta nuk shpenzojnë 500 euro në tavolinë”.
- M’u kujtua Janaqi që tallej me turistët gjermanë, sepse sipas tij “nuk e shijojnë peshkun”, ndonëse gjermanët janë konsumatorë 27 herë më shumë se shqiptarët për frymë.
- M’u kujtua si kruante hundët ndërsa fliste me një turiste spanjolle, dhe pastaj fshinte gishtat në pantallona.
- M’u kujtua si të enjten kishte çmimin e spagetit me karkalec 15 euro, ndërsa të shtunën e rrite për 25 euro, “se kishte më shumë klientë”.
- M’u kujtua si i la për një muaj turistët me ujë të ngrohtë në dush, dhe i gënjente çdo mëngjes: “Do rregullohet sot.”
- M’u kujtua sesi peshkun kinez e reklamonte si peshk të egër, duke mashtruar turistët francezë – dhe pastaj thoshte: “Francezët janë popull pa shije.”
- M’u kujtua Janaqi që, kur mungonte kuzhinieri, e zëvendësonte me rojen e parkingut, sepse thoshte: “Polakët nuk e dallojnë ushqimin e detit.”
- M’u kujtua si kursimet e vitit ia bleu djalit të tij, Raqit, një Range Rover prej 160.000 eurosh.
- M’u kujtua si pas çdo fature që u çonte turistëve të huaj, thoshte me përçmim: – Ç’ju qi tëmën këtyre hollandezëve, se nuk do ua shoh më surratin!
…Dhe kishte të drejtë.
As hollandezët, as gjermanët, as polakët, e as emigrantët nuk ia panë më surratin – as Janaqit, as Raqit.
Të dy, këtë vit, nuk kishin asnjë turist.
U kishte mbetur vetëm Range Roveri i djalit, sepse Range Roverin tjetër e humbën bashkë me dashnoren 28-vjeçare, e cila iku si turistët – pa kthyer kokën pas, duke e lënë Janaqin të kruante hundët vetëm, në hotelin bosh me 5 yje.
Gjithsesi, ai s’ka më nevojë të shkojë në banjo për të urinuar, sepse e bën në breg të detit, me pamje nga shezlongët 200 euro, me jastëkë me pupla.
Ndërkohë, futa dorën në xhep dhe i thashë Raqit:
– Merri këto 20.000 lekë dhe bëji të fala babait. Por mos harro t’i thuash nga unë:
“Më tha Kreshniku – në turizëm, pasuri nuk janë tullat apo pishinat, por turisti që rikthehet për herë të dytë.”/Marrë nga Facebook-u i autorit

















