Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përfundoi rinumërimi i votave në Qarkun e Durrësit. Sa vota humbën partitë!

Përfundoi rinumërimi i votave në Qarkun e Durrësit. Sa vota

Pas një procesi që zgjati rreth 3 javë, ka përfunduar rinumërimi i kutive të votimit në Qarkun e Durrësit, pjesë e një procesi më të gjerë që u zhvillua në katër qarqe të vendit, me kërkesë të fortë nga opozita për verifikim të thelluar të rezultateve zgjedhore. Nga rinumërimi i kutive në Durrës u evidentuan disa ndryshime në numrin e votave të partive politike.

Sipas rezultateve të rinumërimit, Partia Demokratike ka humbur 18 vota, Partia Socialiste 5 vota, ndërsa Koalicioni Djathtas për Zhvillim humb gjithashtu 5 vota. Në anën tjetër, disa parti më të vogla kanë fituar vota shtesë, përfshirë Partinë Mundësia me 3 vota, Lëvizjen Bashkë me 1 votë, Nismën Shqipëria Bëhet me 5 vota dhe Partinë Socialdemokrate me 1 votë.

Në garën mes kandidatëve të PD-së, betejë e ngushtë u zhvillua mes ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili u zgjodh deputet, dhe Aulon Kalasë, i cili kërkoi rinumërimin e votave. Nga rinumërimi rezultoi se Ndoja kishte marrë 88 vota pa meritë që u hoqën, ndërsa Kalaja fitoi 11 vota të reja që i ishin hequr në numërimin fillestar. Kjo garë brenda PD-së mbeti e paqartë sa i përket mbështetjes, pasi Kalaja nuk u mbështet nga PD, por nga Partia Lëvizja e Legalitetit, pjesë e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit. Kandidatë të tjerë të PD-së panë ndryshime në votat e tyre: Emri Vata fitoi 54 vota, Edlira Harizi 17, Ndrec Pjetri 24, ndërsa Petro Vokopola humbi 39 vota.

Nga ana e Partisë Socialiste, Arkend Balla humbi 63 vota që i ishin shtuar pa bazë në numërimin e parë, ndërsa Ani Dyrmishi dhe Alban Xhelili fituan respektivisht 18 dhe 25 vota. Erjon Xhili humbi 37 vota pas rinumërimit.

Rinumërimi në Durrës u bë pjesërisht, duke hapur 151 kuti nga 290 që ishin brenda vendit dhe 85 kuti të tjera të diasporës. Ky proces u zhvillua përreth orës 09:00 deri në 19:30 në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”. Rinumërimi u bë pjesërisht edhe në qarqet e tjera, si Elbasan, Tirana dhe Fier, ku në disa raste u hapën të gjitha kutitë e votimit.

Pavarësisht ndryshimeve në numrin e votave të partive dhe kandidatëve, rinumërimi i Durrësit nuk solli ndryshime në rezultatin final për këtë qark, duke vulosur kështu edhe përfundimin e një procesi që opozita kërkoi me insistim për korrektësi dhe transparencë, por që prodhoi rezultate të ndryshme dhe shpesh kontradiktore me pretendimet e saj për manipulime masive.

Aulon Kalaja vazhdon të pretendojë se votat i janë trafikuar brenda partisë dhe ka kërkuar verifikim të pamjeve filmike të procesit të votimit, ndërsa kërkoi edhe rinumërim të plotë të kutive. Ai protestoi edhe para Pallatit të Sportit “Farie Hoti” dy ditë më parë, duke kërkuar korrektësi dhe transparencë nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).

Procesi i rinumërimit nisi pas përfundimit të rinumërimit në Fier, ku pati luhatje të rezultatit. Atje, Zegjine Çaushi humbi dhe rifitoi mandatin brenda një dite, pasi u mund fillimisht nga kolegia socialiste Maldrita Bardho me vetëm 10 vota diferencë. Bardho më pas u tërhoq duke i lënë mandatin Çaushit, duke sqaruar situatën e krijuar pas rinumërimit.

Ky proces rinumërimi i zgjedhjeve vendore në katër qarqe ishte i jashtëzakonshëm dhe i pazakontë në historinë zgjedhore të Shqipërisë, dhe solli debate të shumta për besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor në vend./dritare.net