
Pëllumb Xhufi: Ja pse është e rëndësishme historia e Mesjetës sonë!
Dritare.net
Gazetari Dritan Hila e pyeti sonte Pëllumb Xhufin për një pjesë të historisë së Shqipërisë që njihet shumë pak, Mesjetën. I ftuar në Shqip në Dritare TV Xhufi u shpreh se Shqipëria ka një fat të madh që nuk e ka as Greqia, as Serbia dhe vende të tjera. Sipas Xhufit janë disa faktorë që e bënin të rëndësishme Shqipërinë pasi ka qenë në syrin e ciklonit të ngjarjeve të mëdha botërore.
Dritan Hila: Historia e Mesjetës ka qenë një gropë për ne. Njihnim shumë pak. Ju keni shkruar së fundmi dy libra për Arbërit e Jonit dhe për Muzakët. Është kaq e pasur historia jonë e Mesjetës, me zotër shqiptarë që shkonin në Venedik, popullonin lagje të tëra, me stratiosis që terrorizonin gjithë Italinë?
Pëllumb Xhufi: Jo vetëm Italinë, por gjithë Evropën, deri në Holandë shkonin, në Spanjë e Poloni po e po. Ne kemi fat të madh që nuk e kanë as grekët, as serbët, lërë me të tjerët. Ne kemi qenë në syrin e ciklonit të ngjarjeve botërore, qoftë për pozicionin gjeografik që kishte Shqipëria, qoftë për disa faktorë të rëndësishëm si për shembull rruga Egnatia që ka qenë fati, por edhe mallkimi i historisë sonë sepse nëpërmjet saj vinin kultura, njohje të reja, kalonin mallra, zhvillohej tregtia që në kohën kur u ndërtua Roma, që në shek e III-të para erës së re. Por nëpërmjet saj vinin dhe pushtuesit. Nga Perëndimi që shkonin drejt Romës së re dhe turqit që shkonin nga Kostandinopoja drejt Italisë, drejt Evropës. Kjo bënte që në lapsin e kronistëve të hynte Shqipëria ose pjesë të saj. Ne patëm dhe një specifikë tjetër. Kemi pasur afër një minishtet, qytet-shtet që quhet Raguzë, Dubrovniku i sotëm, republikë tregtare, nuk kishte ushtri Ragusa, kishte një kontingjent që ruante kryeqytetin dhe të tjerët i kishin tregtarë të cilët e furnizon Ragusën me produkte që merrnin nga Shqipëria. Jo vetëm karakter ekonomik, por kemi dhe karakter politik se herë-herë vinte dhe ndonjë agjent i Raguzës. Ne kemi dhe dokumentacionin e Vatikanit që e ka konsideruar Shqipërinë shumë të rëndësishme edhe për faktin se këtu u nda feja midis një zone katolike siç është veriu, edhe zona ortodokse pa ardhur turqit-osmanë, ishte një target i politikës së tyre të unifikimit të kishës. Papati ka luftuar dhe lufton dhe sot që kisha e ndarë më dysh të bashkohet siç ka qenë në Krishterimin e hershëm./dritare.net

















