
DASH shpall non-grata dy zyrtarë të lartë malazezë
Dritare.net
Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka shpallur publikisht ish-kryetarin e Budvës dhe deputetin Milo Božović dhe ish-kryetaren e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të rëndë që ka lehtësuar trafikimin e drogës.
Božović ka keqpërdorur pozitat e tij publike për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ndërkohë, Medenica ka keqpërdorur pozitën e saj për të mbështetur një organizatë kriminale kontrabandiste, duke shpërndarë informacion gjyqësor, duke ndërmjetësuar vendime gjyqësore dhe duke pranuar ryshfete për të manipuluar rezultatin e gjykimeve në këmbim të parave dhe pronave.
Këto vendime riafirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, organizatave kriminale transnacionale dhe korrupsionit që kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Përveç Božović dhe Medenica, Departamenti i Shtetit ka shpallur gjithashtu të papërshtatshëm për hyrje në SHBA edhe familjarët e tyre të afërt: Dragana Božović, Balša Božović dhe Pavle Božović, si dhe Milos Medenica dhe Marija Medenica./K.C/dritare.net

















