Helidon Haliti: Nga arti te protestat dhe kujtimet me Edi Ramën!
Dritare.net

Piktori Helidon Haliti ishte i ftuar në DritareTV, ku ndau një nga rrëfimet më personale të jetës së tij. Në një bisedë të gjatë, ai foli për fëmijërinë në Lushnjë, ndikimin e babait në formimin e tij, rrugëtimin në art, raportin me politikën dhe kujtimet me kryeministrin Edi Rama, të cilin e ka pasur pedagog.
Haliti e përshkroi fëmijërinë si periudhën më të lirë të jetës së tij. Ai kujtoi aventurat në pyllin e Divjakës, lojërat dhe ndjesinë e lirisë, ndërsa zbuloi se së fundmi ka përfunduar një libër autobiografik, ku rikthen në kujtesë vitet e para të jetës deri në periudhën e pandemisë.
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit iu kushtua babait të tij, për të cilin foli me emocion. Sipas Halitit, ai ishte njeriu që ndërtoi vetë rrugën e tij në art, edhe pse vinte nga një familje pa traditë artistike.
"Babai im krijoi vetveten. Gjyshi im ishte kasap dhe nuk kishte lidhje me artin. Ai lexonte pa fund, zgjodhi vetë shkollën dhe ndërtoi vetë personalitetin e tij. Unë thjesht vazhdoj stafetën që ai ka lënë", u shpreh piktori.
Ai tregoi se edhe sot e ndien praninë e të atit në krijimtarinë e tij, duke e konsideruar ndikimin e tij të pazëvendësueshëm në jetën personale dhe artistike.
Gjatë intervistës, Haliti ndaloi edhe te raporti me Edi Ramën, të cilin e cilësoi një nga njerëzit që kanë ndikuar në formimin e tij profesional. Ai tha se Rama mbetet një pedagog me aftësi të veçanta për të mësuar dhe për të udhëhequr njerëzit.
"Ka qenë mësuesi im. Është një shkollë më vete. Ka natyrën e pedagogut që kërkon të formojë njerëzit, por edhe instinktin e trajnerit, sepse vjen nga sporti. Ai i sheh sfidat si një ndeshje që duhet fituar", u shpreh Haliti.
Piktori vlerësoi gjithashtu talentin artistik të kryeministrit, duke e cilësuar atë "një artist shumë të madh", ndërsa ndau edhe mendimet e tij për mënyrën se si politika dhe arti ndërthuren në figurën e Ramës./dritare.net